Aktualitet Alqi Bllako dorëzon në Kuvend mandatin e deputetit, pritet arrestimi

Alqi Bllako dorëzon në Kuvend mandatin e deputetit, pritet arrestimi

Deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako ka lënë mandatin e deputetit. Pak minuta më parë Bllako ka paraqitur zyrtarisht dorëheqjen nga mandati në Kuvend.

Dorëheqja u paralajmërua një ditë më parë nga vetë Bllako i cili përmes një statusi në Facebook shprehej se mbledhja e Kuvendit për heqjen e imunitetit të tij ishte i panevojshëm pasi ai do të mbrohej si qytetar i thjeshtë.

Kjo do t’i hapë rrugën arrestimit të tij siç ka kërkuar SPAK, pa qenë nevoja që Kuvendi të japë miratim.

Për ekzekutimin e arrestimit nga policia, do të pritet që Kuvendi të protokollojë kërkesën e dorëzuar nga Bllako për lënien e mandatit të deputetit.

Ryshfetet për inceneratorët u morën në formën e pagave

Ashtu si në rastin e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, i cili dyshohet se mori ryshfetin për favorizimin e kompanisë së Klodian Zotos nëpërmjet pagesave të kompanive fiktive për punë që nuk u kryen asnjëherë, njësoj ka funksionuar edhe me deputetin Alqi Bllako.

Prokuroria e Posaçme duke llogaritur pagat e babait të deputetit si  drejtor kantieri i kompanisë së Klodian Zotos, Integrated “Energy BV SPV” prej 6 mijë eurosh në muaj, nga viti 2018 deri në 2020, thotë se ky është ryshfeti për favorizimin e kompanisë bërë nga Bllako dhe kap një vlerë totale rreth 15 milionë lekësh.

SPAK ka marrë dëshmi të punonjësve të kompanisë nëse babai i deputetit ishte paraqitur ndonjëherë në punë. Ata kanë deklaruar se e kanë parë vetëm 2 apo 3 herë.

Por, para këtij momenti, SPAK thotë se Bllako në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe Pëllumb Abeshin i kanë dorëzuar Këshillit të Ministrave dokumente të falsifikuara për llojin e tokës ku do ndërtohej inceneratori.

Abeshi i cili ishte edhe në rolin e drejtuesit të Komisionit për Koncensionin ka vepruar në rastin e shpronësimit pa vënë në dijeni anëtarët e tjerë që ishin zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Energjisë dhe Bashkisë së Fierit, të cilët gjithsesi ranë në prangat e SPAK për shkak të lidhjes së kontratës në kundërshtim me parashikimet ligjore.