Aktualitet Alternativa e re për azil, shqiptarët dhe kosovarët po përdorin të miturit

Alternativa e re për azil, shqiptarët dhe kosovarët po përdorin të miturit

Mediat italiane publikuan mënyrën se si emigrantët shqiptarë kanë filluar të gjejnë një rrugë alternative për të përfituar leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian. Tashmë shqiptarët por edhe kosovarët po përdorin ato që quhen fëmijë “të pashoqëruar” duke bërë kështu automatikisht që ata të përfitojnë lehtësira si në shkollim, akomodim por edhe marrjen e shtetësisë me mbushjen e moshës madhore.

Metoda që përdoret është ajo ku prindërit nisen së bashku me fëmijët e tyre drejt vendeve të BE-së por në kthim i lënë minorët atje duke ditur se ligji favorizon qëndrimin e tyre.

Mediat italiane kanë publikuar dhe disa raste ku fëmijët kryesisht të moshave 15 deri 17 vjeç, ndonëse janë nisur drejt fqinjëve me prindërit e tyre, pak para skadimit të lejes së qëndrimit paraqiten në polici duke deklaruar se janë të pashoqëruar. Në të gjitha rastet e hetuara, prindërit janë kthyer në vendet e origjinës.

Nga të dhënat statistikore, vetëm në Itali janë në proces integrimi 7580 të rinj nën moshën madhore, dhe mes tyre numri më i lartë janë nga Shqipëria dhe Kosova.

1600 fëmijë shqiptarë të pashoqëruar enden rrugëve të Italisë

Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje për uljen e numrit të azilkërkuesve. Sipas Ministrisë së Brendshme, në vitin 2017 ka pasur numra në rritje të fëmijëve të pashoqëruar, por në dy vitet e fundit këto numra janë ulur.

Të paktën kështu pretendon zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila tha për A2 se “ky është një fenomen që nisi nga viti 2015”.

“Vumë re që një numër fëmijësh të pashoqëruar endeshin rrugëve të Italisë dhe Francës kryesisht. Shifra e fundit ka qenë 1600 dhe ka mbetur e njëjtë dy vitet e fundit. Kemi dy vite që nuk ka më rritje të këtij numri. Do ta lidhja edhe me numrin e procedimeve penale që Policia e Shtetit ka hapur ndaj prindërve që braktisin fëmijët e tyre. Nëse kemi pasur numër të lartë procedimesh në 2017 dhe 2018, këtë vit edhe numri i procedimeve është më i ulët”. /A2CNN