Aktualitet Altin Dumani prezantohet si kreu i SPAK: Kalojmë në fazë tjetër, luftë...

Altin Dumani prezantohet si kreu i SPAK: Kalojmë në fazë tjetër, luftë më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve

Altin Dumani ka marrë sot detyrën e kreut të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Dumani u prezantua në këtë detyrë mëngjesin e së hënës nga kryetari i KLP dhe Arben Kraja, ky i fundit tashmë ish-drejtues i SPAK, i cili i kaloi stafetën pasardhësit të tij.

Në fjalën e tij ku renditi disa prioritete të punës në drejtimin e SPAK, Altin Dumani deklaroi se tashmë puna e Prokurorisë së Posaçme do të kalojë në një tjetër nivel, në një luftë më agresisve ndaj korrupsionit të çdo niveli.

“Falenderoj Këshillin e Lartë të Prokurorisë që më besoi drejtimin e Prokurorisë së Posaçme në 3 vitet e ardhshme, besimin që më dhatë do ta përdor në funksion të ndërtimit të një institucioni të suksesshëm të ndjekjes penale, i aftë për t’u përballur me korrupsionin e çdo niveli dhe krimin e organizuar.

Ky besim i dhënë më bën që të angazhohem maksimalisht në pasjen e një prokurorie sipas vizionit të cilin unë e bëra dhe gjatë garamit para KLP. Falenderoj kolegët e mi të nderuar, z.Xholi dhe z.Kondili, për garimin dinjitoz dhe i vlerësoj për vlerat që ata përfaqësojnë. Një falenderim i veçantë për z. Kraja i cili ka meritën e padiskutueshme në krijimin e një prokurorie funksionale. Të gjithë e dimë sa e vështirë është të ndërtosh një shtëpi të re nga themeli, pasi duhet të kujdesesh për çdo detaj. Z.Kraja ju patët barrën që të përballoni problematikën dhe vështirësitë që shoqëruan krijimin e këtij institucioni. Sot, falë edhe kontributit tuaj të çmuar, kemi një prokurori funksionale me një bilanc pozitiv dhe e gatshme për t’u përballur me sfidat që e presin.

Për secilin prej nesh këto 3 vite kanë qenë shumë të vështira pasi na është dashur të përballemi me shumë sfida dhe vështirësi. Pavarësisht këtyre vështirësive, secili prej nesh ka patur kontributin e tij në rezultatet e Prokurorisë së Posaçme, ndaj ju shpreh mirënjohjen për angazhimin dhe sakrificat tuaja.

Pas këtyre 3 viteve, Prokuroria e Posaçme do të kalojë tashmë në një fazë tjetër, dhe që është ajo e një lufte më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli si dhe krimit të organizuar. Tashmë kemi një Prokurori e cila është në funksion të plotë në përbërje të së cilës jemi 17 prokurorë, kemi tashmë Byronë Kombëtare të Hetimit funksionale. Gjithashtu, kemi dhe diçka tjetër pozitive që kemi fituar eksperiencë në këto 3 vite punë.

Marrë në konsideratë këto rrethana, inkurajoj dhe nxis të gjithë së bashku duke punuar në grup si një skuadër e vetme të demonstrojmë se jemi të aftë të procedojmë penalisht çdo shkelës ligji pavarësisht pozitës së tij. Nuk duhet të harrojmë dhe detyrimin që kemi që përmes punës sonë të kemi një SPAK ku publiku të ketë besim si dhe të kontribuojmë në proceset integruese të vendit tonë. Ju garantoj se unë do të jem në krahun tuaj në përballimin e sfidave që na presin, përmes kontributit konkret duke hetuar bashkë me ju dhe duke përfaqësuar çështje në gjykim së bashku me ju si dhe duke ju krijuar kushtet që të ushtroni funksionet tuaja të pandikuar nga askush, por duke qenë besnikë vetëm të ligjit. Te unë do gjeni kolegun ku mund të adresoni çdo shqetësim tuajin si dhe ju garantoj se do bëj përpjekjet maksimale për të adresuar dhe zgjidhur çdo problem.

E nderuar znj.Hajnaj, ju garantoj se marrëdhëniet mes Prokurorisë së Posaçme dhe BKH-së do të karakterizohen nga bashkëpunimi cilësor dhe mirëkuptimi reciprok. Unë jam i vetëdijshmë se pa një BKH efiçente, suksesi është i pamundur. Vlerësoj punën e hetuesve të BKH-së pasi shikoj tek ata njerëz të motivuar me ambicie dhe të interesuar për rritjen profesionale. Ju bëj thirrje hetuesve se zyra e drejtuesit është e hapur dhe ata janë të mirëpritur për të adresuar problematikat me të cilat mund të ndeshen duke i siguruar se së bashku me drejtoreshën e BKH do t’ju japim zgjidhje”, deklaroi kreu i ri i SPAK, Altin Dumani.