Me 5 vota pro, prokurori Altin Dumani, u zgjodh kreu i ri i SPAK-ut, duke zëvendësuar në këtë detyrë Arben Krajën, të cilit i ka mbaruar tashmë mandati tre vjeçar.
Në votimin e hapur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Dumani që ishte dhe i preferuari i amerikanëve, mori 5 vota të anëtarëve të KLP, 4 që mori Edvin Kondili dhe një Adnan Xholi, kandidatë gjithashtu në këtë garë.
Lufta kundër korrupsionit të lartë shtetëror dhe krimit të organizuar dhe nevoja për ndryshim, ishin pikat e përbashkëta në platformat e punës që paraqitën në KLP kandidatët për kryeprokuror.
Altin Dumani tha se e sheh këtë detyrë si mision dhe se ndikohet nga provat e jo nga emrat në punën e tij.
Altin Dumani siguroi votat e anëtarëve të KLP-së: Bujar Sheshit, Eloida Goxhajt, Zeqir Hodës, Arta Mandronit dhe Ledina Rizës.
Edvin Kondili mori votat e Tartar Bazajt, Nurihan Seitajt, Mirela Bogdanit dhe Alfred Ballës.
Ndërsa Adnan Xholi mori vetëm votën e Sokol Stojanit.
Dumani, me një mandat trevjeçar, e merr detyrën zyrtarisht në krye të Prokurorisë së Posaçme me 19 dhjetor 2022 dhe do të zëvendësojë në këtë post Arben Krajën, të cilit i ka mbaruar zyrtarisht mandati.
Altin Dumani e nisi punën në prokurorinë shqiptare në vitin 1999. Me një angazhim mbi 23 vjeçar në prokurori, karriera e tij nisi në Sarandë si oficer i Policisë Gjyqësore. Më pas ai u bë drejtues i Rrethit Gjyqësor Tropojë.
Për disa vite me radhë punoi në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë, në Drejtorinë e Krimit të Organizuar.
Po ashtu Dumani ka punuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranës. Gjithashtu, që në prej krijimit të Prokurorisë për Krimet e Rënda ishte pjesë e grupit të prokurorëve dhe 8 muaj pasi ishte pjesë e saj u emërua zv/drejtues në të asaj prokurorie deri në vitin 2007 dhe nga Qershori i atij viti, iu besua detyra për të drejtuar njësinë e përbashkët hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit.
Pas 3 viteve në këtë njësi u transferua në Prokurorinë e Apelit Tiranë, ku qëndroi 8 vjet.
Fillimisht, ai u profilizuar kryesisht për çështjet e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Me krijimin e Prokurorisë së Posaçme, Dumani iu përgjigj thirrjes së Këshillit të Lartë të prokurorisë për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme.
Dumani u zgjodh një ndër anëtarët e Prokurorisë së Posaçme me një vlerësim maksimal nga ana e KLP. Prej 3 vitesh ai është anëtar i SPAK.