Kryesore “Altin Dumanin nuk e donte bota e krimit në krye të SPAK....

“Altin Dumanin nuk e donte bota e krimit në krye të SPAK. Çfarë e bën të frikshëm për politikën”

Gazetari Artan Hoxha tregoi mbrëmë në emisionin “Opinion” se e ka njohur Altin Dumani, drejtuesin e ri të SPAK, kur ishte prokuror në Tropojë shumë vite më parë. Ai u shpreh se bota e krimit nuk donte që Dumani të vinte në krye të Prokurorisë së Posaçme. Kjo sipas gazetarit tregon se ai nuk ka pika kontakti me ta. Sa i përket politikës, Hoxha tha se Dumanin e bën të frikshëm dosjet që ka në hetim e sipër, jo ato që ka hetuar.

“Kush ma rriti mua pritshmërinë për Dumanin dhe pse unë preferoja të ishte Dumani. Sepse unë shikoja reagimet e botës së krimit. Nuk e donin Dumanin. Ata thonin ishalla nuk e vënë këtë.

Nga Dubai, deri në Ekuador, dhe në fushatë nuk e donin Dumanin. Faktin që nuk e donin Dumanin do të thotë që Dumani nuk ka pika kontakti me ata. Në rregull? Ai mundet ta hetojë një çështje dhe mundet të mos e finalizojë dot, por kjo çështje dështon sepse nuk arrin ta provojë, jo sepse e kanë korruptuar. Ky është avantazh shumë i madh.

Njerëzit më të interesuar që ai të mos zgjidhej përpara atyre që u shfaqën publikisht, pra përpara politikës, ishin personazhet që vinin nga bota e krimit për Dumanin. Dhe këtë unë ia njoh si meritë shumë të madhe. Pra Dumani është një tip i vështirë për këtë gjë dhe ata nuk e donin për këtë gjë. E thonin haptazi që ishalla nuk vjen ky.

Dumani ka një avantazh tjetër sepse Dumani, tani vij tek pjesa e politikës, është i frikshëm jo për atë që ka hetuar, atë që tha Klodi, për mua Dumani është i frikshëm për atë që ka në hetim e sipër. Këto që ka nëpër duar dhe nuk janë bërë publike. Nëse SPAK-u nuk funksionon si skuadër, SPAK-u nuk do të ketë rezultat”, u shpreh Hoxha në “Opinion”.

Ndërsa gazetarja Klodiana Lala tha se Altin Dumani nuk e priste të fitonte. Gazetarja ndan detaje nga ngjarja e asaj dite, pas konkurrimit ndërsa shton se kreu i ri i SPAK është një prokuror i preferuar nga ndërkombëtarët dhe shpreh bindjen e plotë se është e vështirë që politika t’i afrohet.

Klodiana Lala: Di që zoti Dumani ka dalë në këmbë dhe ka ikur në shkollë, ka marrë njërën nga vajzat. Ka shkuar në shtëpi dhe me thënë të drejtën, njerëzit rreth e rrotull tij më kanë dëshmuar që duke qenë se u bë një luftë shumë e madhe për zgjedhjen e kreut të SPAK, mesa duket ishte momenti kur ai kishte humbur shpresat që të ishte drejtues, lë çantën tha, diku aty në shtëpi dhe të gjithë njerëzve po u thoshte që “mos e prisni sepse nuk besoj që do të jem unë” dhe në momentin që ka dëgjuar votat në fakt ka mbetur i surprizuar nga momenti i votimit.

Blendi Fevziu: Nuk e priste?

Klodiana Lala: Jo, nuk e priste sepse në fakt ashtu si po shkonin gjërat, përplasja e fortë, paragjykimet dhe mua më vjen keq sepse pritshmëritë, jo vetëm për zotin Dumani, por edhe për dy të tjerët, për zotin Xholi që gjithashtu është një prokuror karriere dhe zoti Kondili është po ashtu një prokuror karriere dhe këtë duhet ta themi hapur, nuk mund të jemi të padrejtë me tre njerëz të cilët kanë punuar vite me radhë, nga 20 vite në sistem dhe kanë dhënë rezultatet e tyre, e kanë kaluar vetting-un dhe s’mund t’i lëmë me barrën e paragjykimit. Në këtë kuptim, zoti Dumani ka një pritshmëri shumë të lartë edhe për faktin se ishte një person, një prokuror i preferuar nga partnerët ndërkombëtarë. Nëse mund ta them me fjalë të thjeshta, zoti Dumani është një prokuror të cilit është shumë e vështirë t’i afrohet politika, është shumë e vështirë dhe këtë e them me bindje të plotë.