Duke i konsideruar kërkesat e Shoqatave të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese “përpjekje për të dobësuar reformën”, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë kërkoi sot përmes një deklarate që ankesat të trajtohen nga Gjykata Kushtetuese “në mënyrë të hapur dhe transparente” si dhe rikujtoi se Komisioni i Venecias sakaq ka trajtuar problemet e ngritura dhe se kjo trajtesë duhet të shërbejë si bazë edhe për ankesën aktuale.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, depozituan më 1 qershor një padi në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, si dhe ndaj ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” – i njohur gjithashtu si ligji i vetingut.
Në kërkesën e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Unioni dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkojnë shfuqizimin e një numër nenesh të ligjit të vetingut, të cilat rregullojnë kontrollin e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve për sa i përket lidhjeve dhe përfshirjes së tyre me krimin e organizuar.
Ata kundërshtojnë shtrirjen e kontrolleve në kohë, për lidhje të mundshme midis gjyqtarëve, prokurorëve dhe pjesëtarëve të krimit të organizuar, duke filluar nga 1 janari 2012, si në tejkalimin e normave kushtetuese. Një parashikim tjetër i ligjit që kundërshtohet nga shoqatat si jokushtetues ka të bëjë me kontaktet që mund të kenë pasur me krimin e organizuar persona të lidhur me gjyqtarë dhe prokurorë.
Padia në mënyrë të veçantë kundërshton dhe mënyrën se si do të bëhet kontrolli i pastërtisë së figurës dhe provat që do të vlerësohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi dhe Kolegji i Apelimit.
Por Ambasada e SHBA-së thotë se këto elementë të kontrollit janë me rëndësi kyçe për të zbatuar reformën në drejtësi në tërësi.
“… por populli shqiptar duhet të shqetësohet nga përpjekjet për të dobësuar reformën, për të mbrojtur gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, përfshirë ata që kanë lidhje me krimin e organizuar,” thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.
Ambasada shprehet e shqetësuar për shkak se në rast se procesi i vetingut nuk arrin të pastrojë elementët problematikë mes prokurorëve dhe gjykatësve, atëherë nuk mund të shpresohet në funksionimin e elementëve anti-korrupsion të reformës, përfshirë SPAK, (“Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”), një prokurori që do të trajtojë çështjet e korrupsionit si dhe BKH, (Byroja Kombëtare e Hetimit), e cila do të përbëhet nga një grup oficerësh të policisë gjyqësore, të cilët pritet të filtrohen dhe stërviten nga ndërkombëtarët.