Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë vijon të shpjegojë përmes videove ilustruese ndikimin e reformës në drejtësi në jetën e qytetarëve shqiptarë.
Në një postim në Facebook, ambasada amerikane thotë se ndryshimet kushtetuese do të pastrojnë sistemin gjyqësor dhe krijohen mekanizma që do të mbikëqyrin zbatimin e ligjit. Pastrimi i gjyqësorit vjen si pasojë e Vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kjo bëhet duke u bazuar në tre shtyllat e Vettingut, që janë: Justifikimi i pasurisë, pastërtia e figurës dhe aftësia profesionale. Ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët që s’kualifikohen pasi janë gjetur me shkelje, nuk futen sërish në sistemin e ri të drejtësisë. I gjithë procesi i filtrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve po bëhet nën monitorimin e vëzhguesve amerikanë dhe europianë.
Me sistemin e ri të drejtësisë, ambasada amerikane në Tiranë thotë se askush nuk do të mund të korruptojë gjyqtarët dhe prokurorët, duke garantuar barazinë para ligjit të kujtdo.