Aktualitet Ambasada e Shqipërisë në Kiev dëmtohet nga sulmet ajrore të Rusisë (FOTO)

Ambasada e Shqipërisë në Kiev dëmtohet nga sulmet ajrore të Rusisë (FOTO)

Një seri sulmesh ajrore ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës.

Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik.

Nga sulmet janë dëmtuar edhe ambasada e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Argjentinës, Portugalisë dhe Palestinës.

Raportohet vetëm për dëme materiale.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë dënoi ashpër këto sulme, duke i cilësuar si një akt të papranueshëm që godet themelet e diplomacisë ndërkombëtare.

Në deklaratën e saj, Ministria theksoi rëndësinë e mbrojtjes së personelit diplomatik dhe paprekshmërisë së misioneve, duke kërkuar respektimin e këtyre parimeve të panegociueshme.

“Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës. Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”, njofton ministria.