Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se i janë ofruar shumë të mëdha parash nga gazsjellësi rus Gazprom për të kundërshtuar gazsjellësin TAP.
Ai e bëri deklaratën jashtë sallës së Parlamentit, ku iu drejtua ‘atyre që shpallën non grata, mafies së Xhoxsh Sorosit’ se i ka kundërshtuar shumat përrallore që i janë ofruar për të mbojtur interesin e vendit dhe të Bashkimit Europian.
“Një mesazh për ata që shpallën Sali Berishën ‘non grata’. I them mafies së Xhorxh Sorosit, se vetëm për TAP-in, Sali Berishës i janë propozuar shumat më përrallore që mund t’i imagjinojë kush. Por ai qëndroi në mbrojtje të interesave të vendit të tij dhe interesave të Bashkimit Evropian, pasi isha i bindur se një darë gazi nga veriu dhe jugu ishte gjëja më e keqe për Shqipërinë dhe Evropën. Më janë ofruar nga Gazprom”, tha Berisha.
Për këtë deklaratë të Berishës ka ardhur sot një reagimi tejet ironik i ambasadës ruse në Tiranë. Duke marrë parasysh fuqinë e madhe ekonomike të gazsjellësit Gazprom, ambasada ruse pyet Berishën se sa para kërkoi “që as Gazpromi nuk mundi t’i mbledhë dot ato “shuma përrallore”?
“U habitëm nga fjalët e Sali Berishës se 10 vjet më parë ai refuzoi rryshfetin gjoja të propozuar nga Gazprom për zhvillimin e projekteve energjetike në Shqipëri. Na lind natyrshëm pyetja: sa kërkoi zoti Berisha që as Gazpromi nuk mundi t’i mbledhë dot ato “shuma përrallore”?”, shkruan ambasada ruse në Facebook.