Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e mohon që ambasadorët ta kenë përgënjeshtruar në lidhje me deklaratën e tij në seancën e parë të këtij sesioni parlamentar ku tha: “Në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, ia kemi dalë të arrijmë një hap të parë modest sa i takon prioritetit kryesor, Reformës Zgjedhore”. Por tri ambasadat më të rëndësishme në vend, që përfaqësojnë aleatët strategjikë të Shqipërisë, kanë mohuar të kenë ndërmjetësuar për nisjen nga puna të Reformës Zgjedhore.
Sipas Bashës, është tentuar që të tërhiqet vëmendja nga debati duke u marrë me këto deklarata.
Pyetje: Nga parlamenti në seancën e fillimit të javës ju zoti Basha, ju përgënjeshtruan ambasadorët…
Lulzim Basha: Jo nuk është e vërtetë. Nuk mund të lejoj ta riqarkullosh gënjeshtrën.
Pyetje: Përse nuk është e vërtetë? Ta mbaroj pyetjen.
Lulzim Basha: Jo, jo është e qartë pyetja.
Pyetje: Do ta mbaroj pyetjen. Sepse ju deklaruat nga jashtë ambienteve të parlamentit se keni marrë mbështetjen renditët SHBA, BE, dhe Britani e Madhe. Ne të nesërmen lexuam në media dhe kemi reagimet e të treia ambasadave. Ato bënë apel për një reformë që të jetë gjithëpërfshirëse dhe nuk e konfirmuan atë që ju thatë. Kjo ishte ajo që unë ju pyeta.
Lulzim Basha: Problemi i parë është që ju përpiqeni ta fusni këtë debat të madh për votën e lirë, për listat e hapura, e devijoni nëse e tha Lul Basha këtë apo s’e tha dhe e përgënjeshtruan ambasadorët. Kjo është lojë e vogël, unë e di nga vjen kjo lojë. Tirana është e vogël dhe siç e thashë unë jam në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë. Nuk kam problem unë se jam mësuar me gjëra shumë më të këqija nga trekëndëshi i Bermudës. Jam mësuar me gjëra shumë më të këqija. Nuk e kam fare problem. Nuk më shkakton mua asnjë shqetësim. (Qesh) Gajasem me këto përpjekje fëminore për të hequr vëmendjen nga debati. Shqetësohem se nuk më bëjnë mua keq, i bëjnë publikut keq. Dy ditë, a e tha Lul Basha, ndërmjetësim, a s’e tha ndërmjetësim… Deklarata ime është e qartë. Deklaratat e partnerëve janë të qarta. Janë sinkron. Ato që nuk duan t’i shikojnë sinkron nuk i bind unë. Nuk zbraz kokën time të mbush kokën e tyre. Nuk i shkoj mbrapa përpjekjeve për të më hequr nga interesi publik dhe debati për hir të interesit publik. Ajo ishte një përpjekje e qartë për të sabotuar debatin. Debati është lista të hapura apo jo? Debati është votim elektronik apo jo? Debati është votë e diasporës apo jo? Debati është Shqipëria një zonë apo jo? Kur t’i përgjigjen këtyre pyetjeve me po pyetja është pse nuk bashkoni forcat në një përpjekje që nevoja që Edi Rama ka për të riparuar Kodin Zgjedhor të kthehet në një të mirë publike dhe në një Kod Zgjedhor ku të paktën rregullat e shkruara u shërbejnë qytetarëve dhe jo partisë në pushtet apo kryetarit të partisë në pushtet.
Po ashtu Basha u shpreh gjatë konferencës për shtyp se ka zhvilluar takime vazhdimisht me ambasadorët në Tiranë.
Lulzim Basha: Është informacion të cilin nuk e shfrytëzoj për interes mediatik, një nga ambasadorët më të rëndësishëm në Tiranë. Pardje. Para 4 ditësh, para 6 ditësh (jam takuar).
Pyetje: Ju kanë takuar këtu apo keni shkuar ju në takim?
Lulzim Basha: Zotëri, takimet private, drekat, darkat janë takime private. Takime pune. Kështu që lëreni këtë menjëherë se nuk ju nxjerr asnjë gjë. Është menjëherë sterrë. PD ka marrëdhënie 100% të shëndosha me faktorin ndërkombëtar. Nuk është PD e izoluar.