Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, dhe ai i BE-së, Luigi Soreca, kanë postuar disa mesazhe në rrjetet sociale me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.
Ambasadorja Kim shprehet se liria e medias është një nga treguesit kryesorë të demokracisë dhe SHBA-së e mbështet këtë gjë.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, SHBA rikonfirmon mbështetjen për shtypin e lirë dhe sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias në të gjithë botën, përfshirë Shqipërinë. Demokracia kërkon lirinë e shprehjes dhe akses në informacione të sakta të mundësuara nga media e pavarur”, shkruan Yuri Kim.
Edhe ambasadori Soreca është në të njëjtën linjë dhe shton se liria e shtypit në një shoqëri demokratike nënkupton siguri për të gjithë.
“Liria e shtypit është një gur themeli i shoqërive demokratike, e cila mund të lulëzojë vetëm nëse qytetarët kanë qasje në informacion të besueshëm dhe mund të bëjnë zgjedhje të informuara. Liria e shtypit do të thotë siguri për të gjithë”, shkruan Soreca.