Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini e ka konsideruar një ditë feste atë të djeshme kur u mbajtën dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Ambasadori Ukshini vlerësoi procesin zgjedhor dhe fushatën që e parapriu atë duke i cilësuar si me etikë politikë që duhet të jetë shembull dhe për shumë vende të rajoni.
Sipas tij, këto zgjedhje i dërguan dhe një mesazh Brukselit se Kosova është privuar padrejtësisht nga lëvizja e lirë dhe se është pjesë e Evropës
“Dita e djeshme ka qenë një lloj feste dhe 100 mijë votues më shumë se zgjedhjet e kaluara treguan se njerëzit ishin shumë të interesuar për të dhënë votën e tyre. Edhe fushata ka qenë me një etikë politike që edhe për shumë vende të rajonit mund të jetë shembull. Për shkak të rrethanave ne jemi pjekur dhe para kohe. Në demokraci fitore është kur ka stabilitet dhe besueshmëri. Ky është një shembull për t’i thënë Brukselit se kosovarët padrejtësisht janë privuar nga lëvizja e lirë. Kosovarët kanë treguar se janë pjesë e Evropës”, tha Ukshini.
Më tej ambasadori i Kosovës në Shqipëri iu përgjigj dhe pyetjes për se si do të ndikojë në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës zgjedhja e Albin Kurtit kryeministër.
Për diplomatin kosovar marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të ecin përpara pasi jemi një komb. Me nota humori ai shtoi se Shqipëria duhet të pranojë se Kosova është më para saj në futboll, muzikë dhe organizimin e zgjedhjeve.
“Në kuptimin e interesit kombëtar, mendoj që marrëdhëniet Kosovë Shqipëri do jenë në trendet që kanë qenë dhe do të ecin përpara. Dy orientime strategjike të tjera të Kosovës do të jenë Uashingtoni dhe Brukseli. Shqipëria është partner i natyrshëm, jemi një komb dhe kemi një gjuhë. Në futboll, muzikë dhe zgjedhje duhet ta pranojmë që ne jemi më përpara, ca gjëra duhet t’i pranojë dhe Shqipëria, kështu që disa gjëra duhet të marrim nga ju dhe ju nga ne. Është një simbiozë e natyrshme”, përfundoi ambasadori Ukshini për A2 CNN.