Ambasadori kinez në Izrael, Du Wei, është gjetur i vdekur sot në banesën e tij në një periferi të Tel Avivit. Diplomati 58-vjeçar u gjet i vdekur në shtratin e tij dhe dyshimet e para janë se ka ndërruar jetë në gjumë. Wei ishte emëruar si i dërguari i Kinës në Izrael në shkurt të këtij viti.
Të premten, Ambasada Kineze në Izrael iu përgjigj kritikave të shprehura nga Sekretari i Shtetit i ShBA-ve, Mike Pompeo, gjatë vizitës së tij në Izrael javën e kaluar, duke i quajtur absurde deklaratat e tij se Kina ia ka mbajtur të fshehtë botës informacionin për shpërthimin e koronavirusit.
Siç raporton izraelitja Haaretz, në deklaratën e ambasadës theksohej se “shkencëtarët ende nuk e kanë identifikuar origjinën e COVID-19”, dhe se Kina nuk e fshehu kurrë shpërthimin e sëmundjes në vend. Ambasada shtonte se Shtetet e Bashkuara aktualisht janë epiqendra e pandemisë.
Ambasada gjithashtu i referohej paralajmërimit të Pompeos për Izraelin në lidhje me investimet kineze në vend. Gjatë vizitës së tij të mërkurën, Pompeo tha se investime të tilla mund të paraqesin rrezik për sigurinë, veçanërisht në fushën e infrastrukturës.
Në një intervistë për gazetën “Makor Rishon” në prill, ambasadori Wei pati thënë se pasi pranoi pozicionin e ambasadorit, ai fluturoi në Izrael në mes të shkurtit dhe hyri në një karantinë 14-ditore për shkak të shpërthimit të koronavirusit në Kinë. Në fund të marsit, ai mori letrat kredenciale. Për shkak të pandemisë, ai nuk u takua me presidentin siç është procedura në situatë normale.