Ilir Meta vlerësoi këtë të martë Ambasadoren e Republikës së Francës, Christina Vasak me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”. Në një njoftim nga Presidenca bëhet me dije se diplomates franceze, ky vlerësim ju akordua me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e rëndësishëm diplomatik, në forcimin e marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Franceze, si dhe në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy popujve tanë dhe mbështetjen e vyer në procesin e integrimit evropian të vendit tonë”.
Në ceremoninë e dekorimit, ku ishin të pranishëm ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, Avokati i Popullit, përfaqësues të të gjitha forcave politike dhe shoqërisë civile, artistë e intelektualë të shquar.
“Kristinën e vlerësoj për sinqeritetin dhe drejtësinë e gjykimit dhe vlerësimit, si diplomate që respekton, në rradhë të parë, institucionet e vendit pritës, që ndihmon pa asnjë përpjekje për të diktuar, apo marrë protagonizëm të pa merituar. Përveç profesionalizmit, një vlerë e saj është edhe thjeshtësia, ndaj e vlerësojmë si një mike të dashur dhe të besueshme për të gjithë”, tha ndër të tjera Meta gjatë ceremonisë.
Ambasadorja franceze Christine Vassak shprehu mirënjohjen për vlerësimin nga ana e Presidentit Meta si edhe siguroi se do të vazhdojë edhe në të ardhmen të promovojë vlerat më të mira të Shqipërisë.