Ambasadorja japoneze në Tiranë, Kikuko Kato, sheh mundësi të mëdha bashkëpunimi mes dy vendeve në disa fusha. Në një intervistë për MCN TV, ajo shprehet se që prej hapjes së ambasadës japoneze në Tiranë 7 vjet më parë, bashkëpunimi mes dy vendeve është rritur, duke ngjallur interesin e bizneseve japoneze për vendin tonë.
Kato theksoi se qeveria japoneze po konsideron heqjen e vizave me Shqipërinë, pas kërkesës zyrtare të qeverisë shqiptare.
“Nuk kemi linjë direkte me Japoninë dhe në këtë drejtim duhet të punohet. Qeveria shqiptare ka kërkuar heqjen e vizave me Japoninë dhe kjo është në konsideratë”.
Sa i takon nismës së Japonisë në Ballkanin Perëndimor, Kato u shpreh se ka progres në marrëdhëniet që i shërbejnë paqes dhe sigurisë.
“U prezantua gjatë një vizite të ish-kryeministrit Abe në vendet e Ballkanit. Ne konsideruam se paqja dhe siguria është shumë e rëndësishme. Duam të mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor, përpjekjet e tyre për paqe dhe siguri. Kemi asistencë ekonomike dhe bashkëpunim më shumë seç kemi pasur në të kaluarën”.
Kato theksoi se Japonia vijon të qëndrojë në krah të Ukrainës dhe po kontribuon në rindërtimin e saj.
“Lufta në Ukrainë është një nga sfidat më të mëdha në botë. Për të siguruar paqen, si vend i G7 ne po e ndihmojmë Ukrainën. Ne e kemi mbështetur edhe në OKB”.