Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Arben Krajën.
Takimi vjen pas vizitës së zyrtarëve të SPAK në SHBA, ku zhvilluan takime me zyrtarë nga Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Shtetit si dhe nga Byroja Federale e Hetimit (FBI)
Përmes një postimi në Twitter, Kim shkruan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë ta mbështesin punën e SPAK dhe të institucioneve të tjera të reformës në drejtësi.
“Kënaqësi të mirëpresim sërish shefin e SPAK-ut Arben Kraja pas vizitës së tij zyrtare në Uashington, e cila forcon më tej bashkëpunimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm punën e SPAK dhe institucioneve të tjera të reformës në drejtësi”, shkruan ambasadorja e SHBA.
Një ditë më parë ambasadorja Kim i cilësoi të papranueshme deklaratat e ish-presidentit Ilir Meta kundër SPAK.
“Kërcënimet dhe nxitjet për prokurorët dhe gjyqtarët -dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi nuk duhet të pranohen më si “normale”. Kjo sjellje nuk i përket një vendi që është në NATO, ka hapur negociatat për anëtarësim në BE dhe është ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, – shkroi Yuri Kim në Twitter.