Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, pas rreth 9 orësh negociata me Këshillin Politik, ku morën pjesë edhe ambasadori i BE-së dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar, u shpreh për mediat se “është bërë progres” për konsensusin për Reformën Zgjedhore, por shtoi se çdo kërkesë që bie ndesh me rekomandimet e ODIHR-it, duhet të lëshohet nga palët.
“Kaluam pothuajse 9 orë me anëtarët e Këshillit Politik, ka qenë një ditë e vështirë, por është bërë progres. Ka qenë e vështirë për të gjitha palët e përfshira. Të gjithëve u është kërkuar që të japin në mënyrë që Shqipëria të fitojë. Shqipëria është në fazë kritike në historinë e saj. BE ka vendosur disa kushte për të nisur negociatat për anëtarësim, mes tyre edhe Reforma Zgjedhore. Kështu që, qëllimi ynë sot dhe nesër, sepse do të takohemi prapë, është të përmbushim rekomandimet e ODIHR”, tha Kim.
“Nëse arrihet konsensusi edhe për gjëra të tjera përtej rekomandimeve të ODIHR, jemi dakord. Por, nëse kërkesat e palëve bien ndesh me rekomandimet e ODIHR, duhet t’i lëshojnë kërkesat”, shtoi ambasadorja amerikane.
Ndërsa Soreca theksoi: “Kemi pasur një ditë shumë të mirë punë të gjithë bashkë dhe kemi bashkëshoqëruar punën e anëtarëve të Këshillit Politik. Për BE është e rëndësishme që të mund të përmbushen kushtet dhe që procesi i anëtarësimit të fillojë sa më shpejt të jetë i mundur. Kufijtë janë rekomandimet e vendosura nga OSBE-ODIHR dhe kjo është ajo që Këshilli Europian po i kërkon Shqipërisë që të bëjë. Shumë shpejt KE do të prezantojë kornizën negociuese dhe një arritje për Reformën Zgjedhore do ta bëjë këtë punë më të lehtë. Dëshiroj të falënderoj të gjitha palët për qasjen e tyre konstruktive dhe i ftoj që të vazhdojnë njësoj dhe nesër. Kemi një pikë vrulli, të mos e shpërdorojmë. Është në interes për popullin shqiptar dhe Shqipërinë”.
Ambasadori britanik, Duncan Norman, tha: “Këshilli Politik u krijua në mënyrë që të përfundojë reformën. Sot u bë një përparim i mirë, por ka ende punë për të bërë. Duhet këtë gjë ta përfundojmë nesër, jo vetëm që Shqipëria të përparojë drejt BE, por edhe që votuesit shqiptarë të kenë zgjedhje më të mira në të ardhmen. Kështu që le ta përfundojmë këtë gjë”.