Sali Berisha ka folur këtë të mërkurë në mbledhjen e drejtuesve politikë të Partisë Demokratike në qarqe, duke u shprehur se drejtësia është shndërruar në një armë politike të ekzekutivit.
Kreu demokrat theksoi se, me në krye Sorosin, është orkestruar grushti i shtetit ndaj Shqipërisë për të eliminuar opozitën. Ai tha se fitorja e Donald Trump i ka dhënë përgjigjen.
“Drejtësia është shndërruar në një armë politike të ekzekutivit. Me mbështetjen direkte të përfaqësuesve të atyre që duhet të përfaqësonin kombin amerikan, por në të vërtetë më shumë përfaqësonin Sorosin, u instalua narko shteti dhe u vendos persekutimi i hapur i opozitës, u krye grushti i shtetit ndaj opozitës, ndaj Shqipërisë.
Çdo komb dhe çdo vend ka sovranitetin e tij të jashtëm, por ka sovranitetin e brendshëm që lidhet me pushtetin e popullit dhe kur një vendi i sulmohet për të shkatërruar opozitën për të kaluar të gjitha pushtetet në duart e një njeriu, kjo përbënte grushtet shteti nga një vend mik, aleat dhe udhëheqësi i NATO-s.
Të gjitha këto morën një përgjigje nga fitorja e Trumpit. Detyra jonë është të qëndrojmë, siç qëndruam në mbrojtje të vlerave të programit tonë. Ishte një arsye madhore, e cila bëri që amerikanët të rikthenin presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë”, tha Sali Berisha.
Më tej, Berisha i bëri thirrje drejtuesve të PD-së që të përqendrohen te ekonomik, e cila do të jetë në krye të programit, siç tha ai, njësoj si Donald Trump, për ta çuar opozitën drejt fitores.
“Prej disa kohësh, ne kemi parashtruar programin tonë ekonomik të emergjencës, i cili synon të rikthejë individin, problemet, të gjitha çështjet e tij jetësore në qendër të veprimtarisë qeveritare drejtuese. Ajo që unë kërkon sot nga ju, në të gjithë agjendën tuaj, çështja kryesore do të jetë ajo ekonomike”, tha Berisha.