Një ndër katër policët e përfshirë në arrestimin e George Floyd, një 46-vjeçar afrikano-amerikan i cili vdiq pas arrestit të hënën në Minesota, është arrestuar dhe është tani akuzuar për vrasje me paramendim të grades së tretë, si dhe vrasje pa paramendim.
Oficeri Derek Chauvin është polici që shihet në videon e xhiruar nga një kalimtar, duke mbajtur gjurin në qafën e viktimës, ndërkohë që George Floyd dëgjohet duke u ankuar se nuk merr dot frymë. Videoja vazhdon mbi pesë minuta, kur George Floyd është i shtrirë përtokë dhe oficeri Derek Chauvin vazhdon ta mbajë nën kontroll për 9 minuta me gjurin në qafë.
Qyteti i Minesotës është përfshirë nga trazirat, ndërkohë që autoritetet kanë thirrur Gardën Kombëtare për të ruajtur rendin, pas natës së të enjtes që u shoqërua me protesta të dhunshme të ndezura nga vdekja e 46-vjeçarit George Floyd.
Ky rast ka tërhequr vëmendjen e mbarë vendit si dhe vëmendje ndërkombëtare dhe ka rindezur debatin për trajtimin e personave me ngjyrë në SHBA. Demonstratat tani janë përhapur në qytete të ndryshme amerikane.
“Të lutem, të lutem, të lutem, nuk mund të marr frymë. Të lutem, o burrë”
Policia e Minneapolis thotë se Floyd i ngjante një të dyshuari që ishte përpjekur të përdorte një kartëmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe në një dyqan ushqimesh. Policia thotë se ai i kishte rezistuar arrestimit. Por videoja e filmuar nga kalimtarët përgënjeshtroi gjithçka. Videoja u përhap gjerësisht kur u postua në internet.
“Të lutem, të lutem, të lutem, nuk mund të marr frymë. Të lutem, o burrë”, u përgjërua Floyd, ndërsa mbahej nga polici Derek Chauvin. Sipas videove të celularit, oficeri e mbajti Floydin në tokë dhe i vendosi gjurin në qafë. Floyd ishte ndërkohë me pranga.
Oficeri që e prangosi Floydin e nxiste të “qetësohej”, por oficeri e mbajti gjurin në qafën e Floydit edhe pasi Floyd pushoi së lëvizuri. Një dëshmitar tha se ai dëgjoi Floydin duke thirrur për nënën e tij para se të vdiste.
Për shkak të thirrjes së tij “Nuk marr dot frymë”, vdekja e tij u krahasua shpejt me atë të Eric Garnerit, një afrikano-amerikan i paarmatosur në New York i cili vdiq në 2014 pasi një oficer i bardhë e shtrëngoi rreth qafës me krah, ndërsa ai lutej për jetën e tij. Garner gjithashtu u tha oficerëve “Nuk marr dot frymë”, dhe klithma e tij u bë simbol kombëtar kundër brutalitetit të policisë.
Trump reagon ashpër
Presidenti Donald Trump shkruajti në Twitter se ka kërkuar që hetimi të “shpejtohet. … Zemra ime shkon familja dhe miqtë e Xhorxhit. Drejtësia do të bëhet!”.
Ai më vonë kritikoi udhëheqësit e qytetit si “të dobët”, tha se ishte i gatshëm të “dërgoj Gardën Kombëtare dhe ta kryejë punën si duhet” dhe paralajmëroi se në rast se do të ketë ndonjë vështirësi, “ne do të marrim kontrollin, por kur fillon plaçkitja, të shtënat fillojnë…”. Twitter më vonë e shënoi mesazhin, duke thënë se “shkelte Rregullat e Twitter-it në lidhje me lavdërimin e dhunës”.
Kryebashkiaku Jacob Frey, kur u njoftua nga gazetarët për këto mesazhe në Twitter, tha se: “Donald Trump nuk di asgjë për forcën e Minneapolisit.” dhe “Ne jemi të fortë si dreqi”.
Sindikata e policisë së qytetit po i kërkon publikut të presë derisa hetimi të përfundojë përpara se të “nxitojnë në një përfundim dhe të dënojnë menjëherë oficerët tanë.”
Por publiku po reagon për videon, e cila tregon se koka e Floydit është e kthyer mënjanë, ndërsa ai nuk duket se po reziston. Nga fundi i videos, vijnë mjekët e urgjencës, ngrenë Floyd-in e mpirë mbi një barelë dhe e vendosin atë në një ambulancë.
“Ai nuk po rezistonte në mënyrë aktive dhe po thoshte se nuk mund të merrte frymë,” tha Charles P. Stephenson, një ish-oficer policie dhe ish-agjent i FBI-së me ekspertizë në taktikat e përdorimit të forcës, i cituar nga Associated Press. “Duhet ta kishin parasysh se ekzistonte mundësia (që Floyd nuk mund të merrte frymë), dhe të lironin menjëherë çdo lloj kufizimi që mund t’u kishin bërë rrugëve të frymëmarrjes”.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë shumë mënyra për të ndaluar njerëzit, por “asnjë akademi policie që ne njohim nuk i mëson oficerët e policisë të përdorin gjurin e tyre, tua vendosin atë në qafë”, thotë Chuck Wexler, drejtor i Forumit Ekzekutiv të Hulumtimit Policor, i cili studion dhe jep këshilla për praktikat e policisë. “Kjo thjesht nuk u mësohet sepse mund të ndikojë në frymëmarrje dhe tek arteriet karotide (një enë e rëndësishme që furnizon gjakun në tru). Kështu që kur policia shikon atë video, ata janë të tronditur që janë përdorur ato taktika”.
Në qytetin Nju Jork, raportoi Associated Press, protestuesit sfiduan masat ndaluese për koronavirusin në tubimet publike të enjten, duke u përplasur me policinë. Demonstrata u zhvilluan gjithashtu në Albuquerque, New Mexico. Një ditë më parë, demonstruesit kishin dalë në rrugë në Los Angeles dhe Memfis.
Vdekja e Floydit vjen disa javë pasi tre persona u akuzuan për të shtënat fatale në shtetin Georgia, të Ahmaud Arbery-it. Afrikano-amerikani aludohet se u vra në shkurt nga një ish-polic i bardhë i kontesë Glynn dhe djali i tij, i cili me sa duket e mori gabimisht për një hajdut ndërsa ai bënte vrap. Të dy u akuzuan vetëm pasi një video nga të shtënat u shfaq disa javë më vonë. Akuza u ngritën edhe ndaj personit që kishte filmuar.