Pas të paktën 20 muaj kufizim, SHBA rihap kufijtë për udhëtarët e huaj nga 30 shtete, por që janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19.
Ndalimi u vendos nga ish-presidenti Donald Trump për shkak të pandemisë dhe ka prekur shtetasit jo-amerikanë nga mbi 30 vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe shtetet e BE-së.
Sipas rregullave të reja, udhëtarët e huaj do të duhet të dëshmojnë prova të vaksinimit përpara se të fluturojnë, të kenë një test negativ të COVID-19 të kryer brenda tre ditëve nga udhëtimi dhe të dorëzojnë informacionin e tyre të kontaktit. Ata nuk do të duhet të karantinohen.
Ata që udhëtojnë për qëllime “jo thelbësore” si vizita në familje ose miq do të duhet të paraqesin certifikatën e tyre të vaksinës COVID-19. Udhëtarët e pavaksinuar do të lejohen vetëm nëse udhëtojnë për qëllime “thelbësore”.
Administrata amerikane ka nënvizuar se do të pranohen të gjitha vaksinat e miratuara nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë të cilat janë:
AstraZeneca
Johnson&Johnson
Moderna
Pfizer/BioNTech
Covaxin
Sinopharm
Sinovac
Pjesë e listës nuk është vaksina ruse Sputnik V.
Në përpjekje për të ndaluar përhapjen e COVID-19, kufijtë e SHBA-së fillimisht u mbyllën për udhëtarët nga Kina në fillim të vitit 2020.
Kufizimet më pas u shtrinë në vende të tjera. Kufijtë amerikanë hapen për të gjithë të vaksinuarit që vijnë edhe nga shtetet fqinje si Kanadaja apo Meksika.
Për të afërm që ndaheshin nga kufijtë, masa nënkuptoi muaj të tërë dhimbjeje, ndërsa për kompanitë ajrore; katastrofë ekonomike.
Sean Doyle, CEO i British Airways, shprehet: “Ne e theksojmë vazhdimisht ndikimin ekonomik dhe njerëzor të qëndrimit mbyllur. Një sërë njerëzish nuk kanë qenë në gjendje të vizitojnë familjarët, nuk takoheshin dot. Investimet e huaja janë prekur gjithashtu nga një masë e tillë”.