Miliona amerikanë po ndjekin seancat dëgjimore në Kongresin amerikan lidhur me procesin për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton nga qyteti Los Angeles në Kaliforni se disa votues e mbështesin procesin ndërsa të tjerët pajtohen me zotin Trump se është i motivuar politikisht.
Ndër çështjet e diskutuara të mërkurën dhe të premten ishte edhe ajo nëse zoti Trump e kushtëzoi ndihmën ushtarake për Ukrainën me rihapjen e hetimeve për veprimtarinë e biznesit të djalit të kundërshtarit të tij politik, demokratit Joe Biden.
Presidenti i ka quajtur hetimet ndaj tij një gjueti shtrigash.
“Askush nuk ka parë diçka të tillë. Në historinë e vendit tonë nuk ka ndodhur një turp si ky që po vazhdon tani.”
Një banor nga qyteti Siatëll pajtohet me presidentin.
“Është qesharake dhe e dëmton vendin. Bën që njerëzit të mos besojnë në media dhe tek politikanët.”
Një kritik i presidentit, Kent Braithwaite, thotë se seancat janë të nevojshme. Ai erdhi nga Kalifornia në Uashington për të parë nga afër procesin.
“Duhet të tregojmë mbështetje për vlerat demokratike dhe vlerat amerikane.”
Studentët e Universitetit të Kalifornisë së Jugut ndoqën në televizion seancat dëgjimore. Catherine Orihuela është një prej tyre.
“Si votuese e re po përpiqem të jem më e informuar se si funksionon procesi elektoral, dhe kryesisht se si procesi i shkarkimit do të ndikojë tek zgjedhjet e vitit të ardhshëm.”
Të tjerët, si studenti John Ricker, e shohin si një dramë politike.
“Më pëlqen një seancë e mirë gjyqësore, është kënaqësi ta ndjekësh.”
Për të tjerët, një shans për të ndarë faktin nga emocioni.
“Po përpiqen të përqëndrohem tek provat që ofrohen dhe dëshmitë, larg këndvështrimit emocional”, thotë studentja Alexia Nutting.
Gjysma e amerikanëve e mbështesin procesin. Më shumë se 40 përqind janë kundër.
Për çiftin Regina dhe Jay Rice, ky është procesi i tretë për shkarkimin e një presidenti.
“Jemi që nga koha e Watergate”, thotë Regina.
“Nuk erdhëm për Niksonin dhe as për Klintonin por vendosëm që ta ndjekim këtë. Ndoshta mund të mos futemi në seancë por do ta provojmë”, thotë Jay.
Shkarkimi kërkon që Dhoma e Përfaqësuesve të miratojë nenet për heqjen nga detyra të presidentit dhe Senati ta shpallë atë fajtor, që nuk ka gjasa të ndodhë duke patur parasysh shumicën republikane në Senat.