Fillimisht një artikull i gjatë në prestigjiozen New York Times, më pas pohimet e pjesshme në Senat të drejtoreshës së inteligjencës amerikane, Avril Haynes, kanë dritësuar një dinamikë deri më tani të fshehur në konfliktin ukrainas
Uashingtoni, veçanërisht Pentagoni dhe shërbimet sekrete amerikane, po fillojnë të shprehin gjithmonë e më hapur pakënaqësinë e tyre për bashkëpunimin me kolegët ukrainas.
Sipas New York Times, janë të shumtë funksionarët amerikanë që ankohen për faktin se Kievi zyrtar nuk i bën me dije strategjinë e tyre, dhe se shpesh gjenden përballë faktit te kryer. Për më shumë, bashkëpunëtorët ushtarakë të presidentit Volodymyr Zelensky nuk i bëjnë të ditur saktësisht situatën në terren aleatit të tyre kryesor, veçanërisht në momentin kur ndodhen në vështirësi.
Madje disa arrijnë në paradoksin e madh. “Marrim më shumë informacione mbi gjendjen në terren nga informatorët tonë në Rusi, sesa nga Kievi”.
Mendohet se kjo qasje e Kievit ta ketë burimin jo në një ftohje të marrëdhënieve, por në frikën që kanë ukrainasit se një kuadër real i asaj që po ndodh veçanërisht në Donbas, ku ushtria ruse edhe pse me shumë mund po përparon çdo ditë e më shumë, mund të ulë ndihmat ushtarake të Pentagonit, të domosdoshme për rezistencën ukrainase por që munden të cilësohen si një kosto e rënde për territore që ndoshta nuk do të rikthehen më në kontrollin e Kievit zyrtar.
Për më shumë, dyshime po vijnë edhe nga politika amerikane. Në Uashington, po ngrihet gjithmonë e më shumë zëri i atyre që thonë se Biden është ekspozuar shumë në Ukrainë, dhe se fushëbeteja europiane po shpërqendron SHBA-të nga objektivi i vërtetë, përballja globale me Pekinin.