Amendamenti i grupit parlamentar të Partisë Demokratike përjashton ministrat dhe deputetët, por lë hapësirë për zyrtarët e tjerë të lartë dhe të mesëm që të përfitojnë ulje dënimi për veprat penale të korrupsionit apo abuzimit me tenderat.
Nga Vladimir Karaj – BIRN
Në prag të seancës plenare të së enjtes, mazhoranca dhe opozita duket se kanë rënë dakord për një version të ligjit për Amnistinë Penale, që lë hapësirë për ulje dënimi edhe për personat e dënuar nga Gjykata e Posaçme për veprat penale të korrupsionit, mosdeklarimit të pasurisë apo abuzimit me tenderat.
Përmes një amendamenti të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të firmosur nga kreu Gazmend Bardhi, propozohen 6 ndryshime të variantit fillestar të depozituar në Kuvend nga qeveria. Megjithatë, pika më e diskutueshme lidhet me ndryshimet në nenin 5, ku përfshihen edhe subjekte të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Amendamenti i Bardhit përjashton nga përfitimi një grup funksionesh kushtetuese, të tillë si presidenti, kryeministri, ministra, zëvendësministra, deputetë dhe funksionarë të tjerë të lartë të drejtësisë e të ngjashme, por lejon uljen e dënimit për një seri veprash penale në kompetencë të GJKKO-së për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë, gjyqtarë, prokurorë apo persona fizikë të dënuar për korrupsion, abuzim me tenderat dhe të ngjashme.
Ky ndryshim në projektligj u jep ulje me 1 vit e gjysëm burg të dënuarve burra nga Gjykata e Posaçme dhe me 2 vit e gjysëm burg të dënuarve gra dhe të mitur nga e njëjta gjykatë, me kushtin që ata të mos mbajnë apo të mos kenë pasur kur kanë kryer veprën penale funksionet përjashtuese.
I pyetur nga BIRN nëse ky propozim shkonte në përputhje me aksionin e opozitës kundër korrupsionit, Bardhi tha se qëllimi i propozimit ishte të ndalonte uljen e dënimit për zyrtarët e lartë.
“Amendamenti i propozuar nga Grupi Parlamentar i PD-së përjashtohen shprehimisht nga çdo lloj përfitimi që rrjedh nga ky projektligj zyrtarët e lartë të hetuar apo të dënuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion,” tha Bardhi.
Ai këmbënguli se qëllimi i opozitës ishte ndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta edhe si një mesazh për SPAK. “Unë mendoj që GJKKO dhe SPAK duhet të përqëndrohen tek lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe për këtë Kuvendi duhet të japë mesazh politik të mbështetjes, duke mos parashikuar asnjë përfitim për këto raste,” shtoi ai.
Drafti i opozitës u duartrokit nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
“Me kënaqësi të veçantë konstatova se opozita mbështeti variantin e amnistisë së propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, ku as nuk bëhej fjalë për amnistimin e subjekteve të SPAK-ut e të Gjykatës Speciale”, shkroi Manja.
Manja, deputetët socialistë të Komisionit të Ligjeve në parlament dhe deputetë të opozitës u përfshinë në një përplasje të ashpër në shkurt të këtij viti, pasi ndryshimet që u bënë në draft lejonin ulje dënimi për të gjithë të dënuarit për korrupsion e vepra të ngjashme të gjykuara nga Gjykata e Posaçme.
Përfaqësues të mazhorancës, përfshi ministrin pretenduan se propozimi vinte nga opozita, ndërsa përfaqësues të kësaj të fundit e kundërshtuan këtë pretendim duke e cilësuar si keqinformim të qëllimshëm.
Nga ana tjetër, drafti i ri i propozuar nga opozita ndalon uljen e dënimit për një listë funksionarësh e ish funksionarësh të lartë sipas parashikimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale pikat c dhe ç. Drafti megjithatë nuk e ndalon uljen e dënimit për veprat penale konkrete të parashikuara në pikën a të nenit 75/a, përfshi korrupsionin, mosdeklarimin e pasurisë, abuzimin me tenderat e të ngjashme.
Ekspertë të jurispudencës që folën me BIRN në kushte anonimatit, thanë se drafti ishte i komplikuar, kontradiktor dhe krijonte mundësi për interpretime të ndryshme nga institucionet ligjzbatuese.
Veprat penale që përfitojnë ulje dënimi
Neni 244, Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 245, Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë
Neni 245/1, Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 257/a, Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë…
Neni 258, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike
Neni 259, Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 259/a, Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë,
Neni 260, Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë
Neni 312, Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit
Neni 319 Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë dhe pikat pasuese të tij.