Prej të dielës, ora shkon 60 minuta para, duke sjellë ndryshime në jetën tonë, edhe pse në pamje të parë mund të duken të parëndësishme.
“Ky ndryshim prej një ore mund të mos duket i madh, por mund të shkaktojë probleme në mirëqenien mendore dhe fizike të njerëzve në afat të shkurtër”, thotë Charles Czeisler, profesor në Harvard.
Hulumtimet kanë treguar se ndryshimi i orës dy herë në vit mund të ketë pasoja të ndryshme shëndetësore. Nga të dyja, ndryshimi një orë përpara ka tendencë të jetë më shkatërruese. Ky ndryshim i orës mund të prishë ritmet tona cirkadiane, ciklet natyrale 24-orëshe të trupit që rregullojnë funksionet kryesore si oreksi, humori dhe gjumi.
Ritmet cirkadiane varen kryesisht nga ekspozimi ndaj dritës. Kalimi i orës verore fillimisht shkakton mëngjese më të errëta dhe mbrëmje më të lehta. Më pak dritë në mëngjes mund të ulë nivelet e hormonit të rritjes së humorit, serotoninës. Nga ana tjetër, ekspozimi ndaj dritës më vonë në mbrëmje mund të vonojë prodhimin e melatoninës, hormonit që ju ndihmon të bini në gjumë.
Shumë njerëz gjithashtu kanë vështirësi në përshtatjen e orarit të gjumit me kohën e re. Për ditët e para apo edhe një javë, ata mund të shkojnë në shtrat më vonë ose të zgjohen më herët se zakonisht, gjë që mund të shkaktojë privim gjumi.
“Gjumi i ndërprerë mund të bëjë që njerëzit të ndihen të lodhur, të turbullt dhe më pak të fokusuar”, thotë Czeisler.
Kjo mund të shpjegojë, pjesërisht, rritjen prej 6% të aksidenteve me makinë pas ndryshimit të orës verore, sipas një studimi të vitit 2020 në revistën Current Biology. Gjumi i dobët i shkaktuar nga ndyshimi i orës gjithashtu mund të përkeqësojë problemet ekzistuese si depresioni dhe ankthi.
Përgatituni për ndryshimin
Njerëzit mund të ndërmarrin hapa për ta bërë ndryshimin e orës më pak të ndikueshme për trupin dhe mendjen e tyre.
Nëse ndiheni të lodhur pasditeve pas ndryshimit të orës, flini pasdite. Gjithashtu gjatë javës së parë pas ndryshimit të orës, përpiquni të rrini sa më shumë në dritë në mëngjes pasi kjo ndihmon në ruajtjen e ritmit cirkadian. Mundohuni edhe të përshtateni ngadalë, duke ndjekur për disa ditë orën e vjetër.
Për shembull, nëse shkonit për vrap në orën 8 të mëngjesit, prisni deri në orën 9.
“Ora juaj e brendshme është ende një orë prapa, kështu që jepini një shans për t’u përshtatur”, thotë Czeisler duke shtuar se gjithashtu duhet të kufizohet përdorimi i alkoolit dhe kafeinës pasi ato mund të ndikojnë edhe më shumë në gjumin tuaj.