Extra Ana e panjohur e Besa Shahinit, nga martesa surprizë, deri te marrëdhënia...

Ana e panjohur e Besa Shahinit, nga martesa surprizë, deri te marrëdhënia me vajzën e bashkëshortit

Pak ditë më parë, paparazzi i “Panorama Plus” arriti të fotografojë ministren e Arsimit, Besa Shahini, gjatë pushimeve në bregdetin shqiptar të jugut.

Ajo po bënte plazh me bashkëshortin e saj, Dardan Molliqaj, dhe vajzën e tij 9-vjeçare. Në fakt, ne jemi mësuar ta shohim ministren Shahini shumë shpesh në ekranet tona, teksa flet për problemet e arsimit, madje këto kohë ajo ka qenë mjaft aktive edhe për shkak të problemeve që shkaktoi Covid, ku shkolla u ndërpre për disa muaj dhe mësimi kaloi online.

Mirëpo, sot ne do t’ju tregojmë anën e panjohur të ministres së Arsimit, atë të jetës private, për të cilën ajo ka folur shumë pak, më saktë, vetëm një herë në një nga ekranet tona.

Nuk është diçka për t’u surprizuar fakti që një politikane kërkon ta mbajë larg mediave dhe vëmendjes së njerëzve jetën e saj private, ashtu siç nuk është aspak i jashtëzakonshëm kurioziteti i lexuesve tanë për të mësuar diçka më shumë mbi jetën familjare të Besës.

MARTESA SURPRIZË ME DEPUTETIN E KOSOVËS

Ndërkohë që askush nuk dinte pothuajse asgjë mbi jetën private të ministres së Arsimit, Besa Shahini, e emëruar në atë detyrë vetëm prej disa muajsh, ajo i surprizoi të gjithë teksa u lidh në martesë me Dardan Molliqajn, një emër shumë i njohur në Kosovë për shkak të aktivitetit të tij politik, si fillim në Lëvizjen Vetëvendosje e më pas në Partinë Social Demokrate.

Thuhet që Besa dhe Dardani janë njohur pikërisht gjatë kohës kur që të dy ishin të angazhuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Martesa u lidh vjet në prill, ku çifti u celebrua në Prishtinë. Më pas, për detajet e dasmës ka rrëfyer vetë ministrja, e cila ka treguar se nuk preferonte një ceremoni klasike me shumë të ftuar.

Madje, ajo nuk ka veshur as fustanin klasik pompoz të nusërisë, por një fustan të thjeshtë të bardhë. Kjo gjë nuk na çudit aspak, po të kemi parasysh edhe stilin e veshjes në përditshmërinë e Besës, me këmisha dhe funde të gjata, tipike të një vajze kolegji, e thjeshtë dhe shumë e rregullt.

Më pas, Besa ka rrëfyer se ceremonia private e dasmës së saj është bërë në Tiranë dhe e gjitha e organizuar nga miqtë e saj. Nga fustani i nusërisë që ia ka qepur një shoqe, te lokali i një shoku ku u bë festa, fotografitë që ia bëri një miku i saj dhe këngëtarët që kënduan, gjithashtu ishin miq të çiftit.

Në këtë mënyrë, Besa Shahini e gjeti veten një zonjë e martuar dhe gjithashtu ministre e Arsimit, e zgjedhur nga Kryeministri Rama, pasi ajo ishte për disa kohë në pozicionin e zëvendësministres së Arsimit dhe ministria në fjalë drejtohej nga Lindita Nikolla.

KUSH ËSHTË DJALI QË I RRËMBEU ZEMRËN MINISTRES

Në Shqipëri nuk është shumë i njohur, por në Kosovë, Dardan Molliqaj është i njohur dhe mjaft aktiv në jetën publike. Siç e kemi thënë edhe më lart, ai ka filluar karrierën në politikë si mjaft të rinj të tjerë të shkolluar dhe me ëndrra për një Kosovë më të mirë nesër.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, ai spikati për aftësitë e tij si politikan dhe për energjinë e tij. Gjithashtu, nuk kanë munguar nga ana e Dardanit edhe polemikat e forta në debate televizive me kundërshtarë të tij politikë.

Rreth një vit më parë, mediat në Kosovë raportonin se kishte ndodhur një incident mes Dardan Molliqajt dhe Haki Abazit, zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Zyrtari i VV-së, Haki Abazi, pretendonte se kur ka qenë në korridor, në dalje të studios bashkë me Rexhep Hotin, Dardan Molliqaj i ka shkuar me zë kërcënues, ndërsa shoqëruesi i tij e ka kapur nga duart dhe më pas ka filluar përleshja fizike.

“Unë kam qenë në dalje, kam qenë duke ecur me Rexhep Hotin dhe ata më kanë sulmuar”, tha Abazi. Sipas Abazit, lidhur me rastin, autori i emisionit, Leonard Kerquki, ka njoftuar Policinë.

Incidentin e ka konfirmuar edhe drejtuesi i emisionit “Pressing”, Leonard Kerquki, i cili, për shkak të këtij incidenti, ka thënë se nuk do të mund ta vazhdonte emisionin.

Por vetëm pak muaj para se të ndodhte ky incident, bashkëshorti i ministres Shahini u arrestua në banesën e tij.

Molliqaj u arrestua nën akuzën e pjesëmarrjes në protestë për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Partia Social Demokrate kërkoi lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj. “PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë.

Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre”, thuhej në njoftimin e partisë.

SAKRIFICAT E NJË MARTESE NË DISTANCË

Vetë ministrja, në një intervistë ka theksuar se nuk është e lehtë për asnjërin kjo martesë në distancë. Ata kishin vetëm një vit lidhje dashurie, kur vendosën të bënin celebrimin. Natyrisht që të dy i morën parasysh sakrificat që duhej të bënin.

Dardani me një karrierë në Kosovë dhe Besa me një të tillë në Shqipëri, asnjëri nuk mund të braktiste punën për të shkuar te tjetri.

“Është e vështirë të jetoj larg tij, por ne respektojmë punën e njëri-tjetrit dhe e dimë që është e përkohshme. Kështu që duhet edhe pak ta kalojmë këtë pjesë të jetës me ndarje, por fundjavat në mënyrë rigoroze i kalojmë bashkë”, tregonte Besa e pyetur rreth jetës private.

E megjithatë, nga fotot e paparazzit tonë tregohet qartë se çifti po kalon kohë bashkë në plazhet e jugut të Shqipërisë. Siç e shikoni edhe nga fotot, ata duken mjaft të dashuruar me njëri- tjetrin dhe të bën përshtypje gjithashtu kujdesi i madh që Dardani tregon ndaj bashkëshortes, duke i lyer trupin me kremin kundër diellit.

Por në këto pushime ata nuk janë vetëm. Me ta është edhe vajza e Dardanit, 9 vjeç, të cilën ai e ka nga martesa e tij e mëparshme. Sikur të mos e dinim që Besa dhe Dardani nuk kanë fëmijë, të gjithë do të besonin se është fëmija i të dyve, sepse Besa tregon mjaft kujdes për të.

Mesa duket, ka shumë paqe dhe mirëkuptim për këtë fakt dhe Besa duket shumë e lumtur që në pushime ka marrë edhe vajzën e bashkëshortit të saj.

Për sa i përket faktit nëse Besa dëshiron apo jo fëmijë, ajo vetë ka thënë në një intervistë se do të donte të kishte shumë fëmijë, por ka dy faktorë që nuk e favorizojnë. E para është karriera dhe e dyta mosha.

Besa Shahini është sot 38 vjeçe, edhe pse nuk duket fare për atë moshë, ndërkohë bashkëshorti i saj është pak më i ri, 35 vjeç. Ne i urojmë çiftit sa më shumë lumturi në jetën familjare dhe sa më shumë suksese në karrierën e tyre personale.

/Panoramaplus.al