Një pikë i ndan aktualisht; Interi 37, Juventusi 36. Një pikë në një garë për titullin, që e bën këtë sezon në Serie A më intriguesin në dekadën e fundit. Pyetja që shtrohet tani është afatshkurtër: cili do të jetë kryesuesi për Krishtlindje? Në këtë situatë rivaliteti të ethshëm, bërja e parashikimeve afatgjata është vërtet e vështirë. Ndërsa presim të shohim se cili do të jetë kampioni i dimrit (faza e parë e Serie A përfundon më 12 janar), le të studiojmë tri ndeshjet e ardhshme, nëpër të cilat do të kalojnë zikaltrit dhe bardhezinjtë deri për Krishtlindje, kur nis pushimi i kampionatit.
Java e 15-të
Inter-Roma
Lazio-Juventus
Është prova romake për dy skuadrat. Interi do të duhet të përballet me Romën e vendit të katërt, të drejtuar nga Fonseca, të premten në mbrëmje. Bardhezinjtë do të shkojnë në “Olimpico” të shtunën, për të sfiduar Lazio, që ka fituar 6 ndeshje radhazi dhe mban vendin e tretë në klasifikim. Edhe verdhekuqtë janë në gjendje të mirë, kanë rikuperuar lojtarë të rëndësishëm, duke filluar nga Pellegrini, por faktori-fushë ndoshta mund të favorizojë Interin. Është e vërtetë që zikaltrit, me 12 fitore në 14 ndeshjet e deritanishme të Serie A (rekord absolut), kanë lënë 4 pikë në shtëpi (3 kundër Juventusit dhe 1 me Parmën), por është gjithashtu realitet se, në një moment të tillë, me një Lautaro si ky, “San Siro” përbën një avantazh. Juventusi “po vdes” për ta harruar Sassuolo-n, por me një Ronaldo jo në formën optimale, me lojën që po “tkurret” nga java në javë dhe kundër Lazio së sotme, aq më tepër në “Olimpico”, nuk do të jetë aspak e thjeshtë.
Java e 16-të
Fiorentina-Inter
Juventus-Udinese
Në letër, angazhimi bardhezinjve është më i lehtë se ai i zikaltërve. Udinese po vuan në pjesën fundore të klasifikimit, ka pasur një sezon zhgënjyes, është në kërkim të identitetit, por pikërisht ndeshja e djeshme me Sassuolo (2-2) duhet t’i ketë mësuar të besuarit e Sarrit që të mos nënvlerësojnë asgjë dhe askënd. Edhe në Firence kanë problemet e tyre të mprehta. Montella vjen nga tri humbje, dy të fundit mbërritën kundër Verona dhe Lecce. Fiorentina e sheh veten vetëm me 16 pikë në renditje. Vjollcët me siguri do të kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet, por Conte i ka mësuar të tijtë të mos dëgjojnë e shikojnë çfarë problemesh kanë kundërshtarët. Ata duhet të përqendrohen vetëm në lojën e tyre. Dhe po funksionon.
Java e 17-të
Inter-Genoa
Sampdoria-Juventus
Me festën e Krishtlindjes te dera, dy protagonistët e kampionatit italian duhet të marrin nga tri pikë ndaj skuadrave gjenoveze. Interi pret Gjenova, që pavarësisht ndryshimit të trajnerit, nuk ka dalë kurrë nga kriza dhe aktualisht është në vendin e tretë nga fundi në renditje, me vetëm 10 pikë. Juve do të angazhohet me ndeshjen larg shtëpisë, ndaj Sampdoria. Të besuarit e Ranieri janë në rikuperim. Në katër ndeshjet e fundit (duke pritur atë të mbrëmjes së sotme me Cagliari), ata nuk kanë humbur (dy fitore dhe dy barazime). Me siguri do të duan ta thonë fjalën e tyre edhe në vazhdim, sidomos ndaj kampionëve në fuqi. Sidoqoftë, një skuadër si ajo bardhezi ka për detyrë ta marrë fitoren kudo që luan, jo vetëm në shtëpi.