Shpresat e Ballkanit për fillimin e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian janë “në fije të perit” pasi Franca këmbëngul se blloku nuk është ende gati për të diskutuar mundësinë e pranimit të anëtarëve të rinj. Këtë zbulojnë dokumentet e shkëmbyera midis misioneve diplomatike në Bruksel.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë në ankth për “dritën jeshile” këtë javë për të filluar bisedimet zyrtare për t’u bashkuar me klubin më të madh tregtar në botë. Ndërsa shumica e vendeve anëtare mbështesin kërkesën e tyre, Franca dhe Holanda dëshirojnë një rregullim të plotë të procesit të zgjerimit përpara se të fillojnë negociatat me dy vendet.
Parisi dëshiron që bisedimet e mëtutjeshme të jenë “më graduale, më konkrete në përfitimet që ato sjellin për vendet e interesuara dhe të kthyeshme, sipas zbatimit efektiv, të prekshëm dhe të qëndrueshëm të reformave,” – thuhet në një draft-komunikatë të një takimi ministror në Luksemburg. Memoria u qarkullua në 10 tetor nga diplomatët francezë në qeveritë e tjera të BE-së.
“Asnjë datë për negociatat zyrtare nuk duhet t’i jepet Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore përpara se BE të përfundojë këtë rregullim të “metodologjisë” së saj” – thuhet në dokument.
Përkrahësit e zgjerimit argumentojnë se perspektiva e anëtarësimit në BE do të ndihmojë në ankorimin e mëtejshëm të rajonit të trazuar në Perëndim, ndërsa mospërcaktimi i një date për fillimin e negociatave zyrtare rrezikon të dobësojë forcat reformiste në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
Por zyrtarët perëndimorë të BE-së, të mërzitur nga dështimi i vendeve lindore që u bashkuan në 2004-ën dhe 2007-ën sa i takon mbështetjes së sundimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit janë tashmë të kujdesshëm të pranojnë anëtarë të rinj.
Vende si Polonia, Hungaria dhe Rumania, ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve strukturore të BE-së dhe ndihmave për bujqësinë – janë në luftë me Komisionin Evropian mbi standardet e tyre demokratike dhe krahu ekzekutiv i BE-së deri më tani nuk ka arritur t’i detyrojë ata të hyjnë në rrugën e duhur.
Me insistimin e Francës, BE thotë në komunikatën e saj të qershorit për temën e zgjerimit se “pranimi i anëtarëve të rinj duhet të marrë parasysh aftësinë e bllokut për t’i integruar ato”.
Franca dhe Holanda nuk janë vetëm në skepticizmin e tyre. Shtohen këtu vende si Greqia dhe Bullgaria që citojnë çështje bilaterale që së pari duhet të zgjidhen, ndërsa të tjerët kërkojnë kushte të bashkuara me çdo nyje pozitive, veçanërisht për Shqipërinë.
Ambasadorët e BE do të bëjnë një përpjekje dëshpëruese për të ndërmjetësuar një kompromis të hënën përpara se ministrat të takohen në Luksemburg të martën, ku do të merret një vendim. Udhëheqësit e BE-së duhet të nënshkruajnë kur takohen të enjten në Bruksel.
Drafti i fundit i vendimit, i datës 11 tetor dhe i parë nga Bloomberg, jep një dritë jeshile që negociatat zyrtare të pranimit të fillojnë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, por “askush nuk është i lumtur me këto fjalë”, citohet një diplomat që është në brendësi të diskutimeve. Bloomberg