Politika Analiza e Fevziut për zgjedhjet: PS ka ruajtur votat e saj, numri...

Analiza e Fevziut për zgjedhjet: PS ka ruajtur votat e saj, numri i votuesve të PD është ulur ndjeshëm. Fushata negativiste…

Rezultatet në Shkodër dhe në Kamzë kanë qenë sipas Blendi Fevziut surprizat më të mëdha në këto zgjedhje vendore. Ai u shpreh se sipas të dhënave PS ka marrë të njëjtat vota si në zgjedhjet e shkuara, por nga ana tjetër numri i votuesve të PD-së është reduktuar ndjeshëm. Sipas tij, ishte e pritshme edhe pjesëmarrja e ulët në zgjedhje dhe atmosfera dallohej përgjatë gjithë fushatës.

“Besoj se surprizat më të mëdha kanë qenë në gjykimin tim Kamza dhe Shkodra, ku nuk pritej ky rezultat. Edhe Kukësi kishte një lloj dileme, por ishte më i diskutueshëm. Mendoja se do të kishte një balancë. Kemi parasysh edhe nga këto të dhëna që kanë dalë, PS nuk ka marrë vota ekstra. Ka ruajtur votat e saj. Numri i votuesve të PD është reduktuar ndjeshëm. Është i ngjashëm me rezultatin e 2017 ku PS nuk mori asnjë votë më shumë se zgjedhjet e 2013, por ranë votat që votonin PD. Është i njëjti skenar. Nuk kanë dalë votuesit e opozitës. Jemi në nivelin më të ulët të pjesëmarrjes në zgjedhje. Ishte e pritshme. Atmosfera ishte jashtëzakonisht e zbehtë. Emisionet politike ulnin audiencën me 10 pikë brenda natës”, tha Fevziu.

Gazetari u shpreh se politika shqiptare ka problem mungesën e vërtetësisë. Ai theksoi se politikanët nuk mund ta trajtojnë popullin si lolo. Ai u shpreh se fushata në këto zgjedhje nuk kishte frymëzim, ndërsa PS vetëm mbrojti rezultatin pa qenë agresive. Po ashtu, ai u shpreh se opozitës nuk i funksionoi fushata negativiste.

“Politika nuk është më e vërtetë. Problemi kryesor i politikës është mungesa e vërtetësisë. Politikanët nuk mund ta trajtojnë elektoratin si një lolo që mund të lozin dhe tallen si të duan. Nuk mund të vijnë dhe të thonë përralla që e dinë edhe vetë që 3 apo 4 ditë më vonë do të verifikohen. Kjo histori duhet të vdesë në Shqipëri nëse duam që të ketë një përgjigj më të madhe të elektoratit. Nuk kishte frymëzim, nuk kishte karizma në përgjithësi. PS e mbajti në tonet e njeriut që vetëm mbron rezultatin, por nuk ka nevojë të jetë në agresion. Nga ky aspekt pati edhe një problem të dytë që në gjykimin tim ka dhënë kosto të mëdha. Fushata negativiste nuk ka funksionuar në Shqipëri. Ne e dimë, sidomos e pashoqëruar me një fushatë pozitiviste. PD e mbështeti fushatën nacionale vetëm mbi negativizmin, vetëm mbi akuzat ndaj Ramës”, tha Fevziu.