Kryesore Analiza e George Soros: Ukraina, Putin dhe rreziku i Luftës III Botërore

Analiza e George Soros: Ukraina, Putin dhe rreziku i Luftës III Botërore

George Soros është themeluesi i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur dhe një avokat i madh i demokracisë liberale dhe i rrethuar gjithmonë me teori konspirative, sidomos në Shqipëri.

Në një analizë  për “Project Syndicate”, ai analizon pushtimin rus në Ukrainë.

“Pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt shënoi fillimin e Luftës së Tretë Botërore, e cila ka potencialin të shkatërrojë qytetërimin tonë”, fillon në mënyrë dramatike Soros.

Ai shkruan se pushtimi pasoi një takim të gjatë midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping më 4 shkurt, ditën e festimit të Vitit të Ri Hënor Kinez dhe Olimpiadës Dimërore të Pekinit.

“Në fund të atij takimi, të dy ata publikuan një deklaratë të hartuar me kujdes prej 5000 fjalësh, duke deklaruar një partneritet të ngushtë mes dy vendeve të tyre”, kujton Soros.

“Unë u befasova nga ajo që dukej se Xi i dha Putinit një kartë të bardhë për të pushtuar Ukrainën dhe për të luftuar kundër atij vendi. Ai duhet të jetë shumë i bindur se konfirmimi i tij si sundimtar i përjetshëm i Kinës më vonë gjatë vitit do të jetë thjesht një formalitet. Pasi të përqendrojë të gjitha pushtetet në duart e tij, Xi ka hartuar me kujdes një skenar që e vendos atë në të njëjtin nivel me Mao Ce Dunin dhe Deng Xiaoping”, shkruan Soros, i cili sheh një rrezik të madh në afrimin e Rusisë dhe Kinës.

“Pasi mori mbështetjen e Xi, Putini filloi realizimin e ëndrrës së tij të jetës me brutalitet të jashtëzakonshëm. Tani pothuajse 70 vjeç, Putin beson se nëse dëshiron të lërë një gjurmë në historinë ruse, duhet të jetë tani ose kurrë. Por ai ka një perceptimi i shtrembëruar i rolit të Rusisë në botë.

Ai duket se beson se populli rus ka nevojë për një perandor që ta ndjekë verbërisht. Është krejtësisht e kundërta e një shoqërie demokratike, është një vizion që deformon “shpirtin rus”, emocional deri në sentimentalizëm”, shkruan ai.

Soros beson se anëtari dikur dinak i KGB-së ka ndryshuar kohët e fundit.

“Ai duket se ka zhvilluar një ide fikse dhe ka humbur kontaktin me realitetin,” shkruan Soros.

George Soros

Nga ana tjetër, Soros ka vetëm fjalë lavdërimi për ukrainasit.

“Ai (Putini) mendoi se ukrainasit rusishtfolës do t’i mirëprisnin ushtarët rusë krahëhapur, por doli se ata nuk ishin të ndryshëm nga popullsia ukrainas-folëse. Ukrainasit kanë treguar deri tani jashtëzakonisht guxim rezistencë ndaj situatës në dukje të pashpresë”, shkruan ai.

Soros beson se ushtria ruse është në një gjendje të keqe dhe se Ukraina mund të fitojë me ndihmën e Perëndimit

Soros shkruan se ushtria ruse është më e dobët nga sa mendohet.

“Ushtria ruse u tregua e dobët kur u urdhërua të sulmonte vëllezërit ukrainas. Gjithashtu, korrupsioni i rrënjosur në dhënien e kontratave të mbrojtjes luajti një rol të madh në këto rezultate të dështuara. Putini duket se e ka humbur mendjen. Ai hedh të gjithë ushtrinë ruse në betejë dhe injoron të gjitha rregullat e luftës në bombardimet pa dallim, edhe ndaj të civilëve”, shkruan ai.

Rusia mund ta humbasë shumë lehtë luftën, thotë Soros.

“Si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po dërgojnë armë mbrojtëse në Ukrainë dhe po bëhen përpjekje për të blerë avionë luftarakë MiG të prodhuar nga Rusia, me të cilët pilotët ukrainas janë njohur. Kjo mund të bëjë një ndryshim të madh,” shkruan Soros.

Cilido qoftë rezultati i luftës, Putini tashmë ka bërë mrekulli në promovimin e vendosmërisë dhe unitetit të BE-së, thuhet në koment.

“Ndërkohë, Xi duket se e ka kuptuar se Putini është bërë i paparashikueshëm. Më 8 mars, një ditë pasi ministri i jashtëm kinez Wang Yi kishte këmbëngulur se miqësia midis Kinës dhe Rusisë mbetej “e qëndrueshme”, Xi telefonoi presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz për t’u thënë se ai mbështeste përpjekjet e tyre paqeruajtëse. Ai donte përmbajtje maksimale në luftë për të shmangur një krizë humanitare”.

“Nuk është aspak e sigurt nëse Putini do t’i pranojë dëshirat e Xi. Mund të shpresojmë vetëm se Putini dhe Xi do të largohen nga pushteti para se ata të mund ta shkatërrojnë qytetërimin tonë”, përfundon Soros.