Humbja ndaj Atletico Madrid në Champions League ka lënë një shije të hidhur për Juventusin. Pavarësisht se në fundjavë arritën një fitore minimale kundër Bolognas, bardhezinjtë nuk po bindin me lojën e tyre.
Një skuadër e ngadaltë, me një Ronaldo që shënon, por që sigurisht tifozët presin diçka me tepër. Shpëtimi ndaj Bolonjës erdhi falë Paolo Dybala, i cili forcoi akoma edhe më shumë konditat e “Zonjës së Vjetër” në krye të klasifikimit.
Sidoqoftë, Juventus po përjeton një lloj ngërçi në aspektin psikologjik por edhe atë të lojës. Dëmtimet sigurisht që kanë patur ndikim për Allegrin dhe pjesën tjetër të skuadrës, por infermieria e mbushur nuk është problemi i vetëm që ka zonja e vjetër. Nisi me eleminim nga Kupa e Italisë dhe janë sërish me njërën këmbë jashtë Championsit edhe pse fjala e fundit ende nuk është thënë.
Në Itali, Juventus nuk ka rivalë, ky është një fakt që tashmë është konfirmuar prej vitesh, por në reparte të ndryshme, kampionët në fuqi vuajnë. Në mesfushë situata shfaqet problematike. Khedira dhe Emre Can nuk janë plotësisht të gatshëm dhe Allegri ka në dispozicion vetëm 3 mesfushorë, Pjanic, Bentacur dhe Matuidi, të cilët jo gjithmonë mund të përballojnë ritmin e lojës për 90 minuta, duke patur parasysh faktin që të tre kanë qenë gjithmonë titullarë kohët e fundit dhe lodhja fizike ndihet.
Numri një i stolit të Juventusit i duhet t’i japë zgjidhje një sërë problematikave që po shfaq Juventusi, në një sezon ku përpara se të niste pretendimet ishin të mëdha, ndërkohë maksimumi që mund të marrin nga ky vit duket se do të jetë vetëm kampionati.