Nga Leonard Karaj
Lulzim Basha i ka hequr vetes një siklet të madh, të paktën teorikisht: përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë. Ndonëse duhet të jesh shumë naiv të besosh se kryetari dhe drejtuesit kryesorë nuk do të përzihen në këtë operacion delikat, fakt është se brenda PD-së gjatë kësaj kohe “ziejnë” edhe muret. Mes aludimesh për rikthime dhe largime të nevojshme, për shkak të fundit ciklor politik, problemet këtë herë me listat i solli te demokratët edhe Edi Rama. Mënyra se si kryeministri, gjoja me propozim të opozitës parlamentare dhe me babaxhanllëkun e të parit të shtëpisë, “babait të kombit”, sikundër ka dëshirë ta shikojë veten, ndryshoi Kushtetutën, duke hapur vetëm 3/4 e listave, ka sjellë goxha pështjellim dhe debat mes të djathtëve. Kush do jetë deputet i sigurt? Po në pjesën e hapur të listës? Cili do të mbetet fare jashtë liste dhe sa mund të ndikojnë prurjet e reja nga bota akademike dhe jo vetëm? Janë këto disa nga pyetjet që, me gjasë, deri afër tetorit, do të duhet të marrin përgjigje.
– Por që PD-ja të vijë në pushtet në 2021-shin, nuk duhet vetëm të mundë Ramën me zgjedhje, pasi kjo gjë të paktën teorikisht duket më se e realizueshme. PD-ja duhet të rigjenerojë vetveten. Ndaj i nevojitet një “katarsis” i brendshëm, nga i cili të shihen jashtë mundësisht vetëm fytyra të lumtura (praktikisht thuajse e pamundur). Kjo parti nuk duhet dhe nuk mund të shkojë asesi në zgjedhjet e ardhshme tërësisht me të njëjtët njerëz që kanë drejtuar gjatë tri dekadave të fundit, pavarësisht pozicionit që kanë pasur në këtë forcë politike, gjatë qeverisjes apo edhe në opozitë. Nuk duhet asesi të shkojë në zgjedhje as me pjesën më të madhe të kandidatëve që pati qoftë në 2013-n, qoftë në 2017-n. Nuk duhet as të dalë në fushatë, natyrisht, me të njëjtët “pretendentë” për kryetarë bashkish, apo drejtorë drejtorish, që duket qartazi se e kanë “privatizuar” prej vitesh këtë forcë politike, duke ngjallur gati neveri, jo vetëm te pjesa gri e elektoratit, por madje edhe mes militantësh. PD-ja ka nevojë për energji të reja, personalitete jo vetëm në letër, por edhe njerëz që gëzojnë popullaritet, prania e të cilëve në listën e kandidatëve do të sillte besueshmëri më të madhe te votuesit.
Lulzim Bashës dhe Kryesisë nuk duhet asesi t’i mjaftojë vetëm fakti se “X” apo “Y” person ka qenë besnik i partisë dhe pjesëmarrës në çdo demonstradë apo “revolucion” të viteve të fundit. Pasi, përtej këtyre vetive, jo domosdoshmërisht të nevojshme për një forcë politike që duhet të rigjenerohet dhe të shikojë drejt Perëndimit, besueshmëria e të tilla personazheve në masën e gjerë të votuesve, rezulton të jetë thuajse zero (madje në mjaft raste, sidomos në periferi, zgjedhësit refuzojnë ta votojnë PD-në, pikërisht sepse “në ballë” të fushatës dalin të tilla personazhe). Për të fituar ndaj Ramës, Bashës i duhen njerëz që arrijnë të afrojnë më së shumti pjesën gri të elektoratit. Ndaj PD-ja nuk ka nevojë këtë herë vetëm për militanët e saj, ata që historikisht e kanë votuar këtë forcë politike. Këta duhen, por nuk mjaftojnë. Ndaj, duhet një kombinim personalitetesh që dinë gjuhën e të gjitha shtresave dhe të individëve votues. Dhe, për më tepër, shqiptarët, ata që nuk votojnë symbyllur “Rilindjen”, e kanë të domosdoshme që të shikojnë ndryshimin real të PD-së, ndryshim i cili më së pari nis tek emrat që duhet ta përfaqësojnë këtë forcë politike. Votuesi duhet ta ndiejë që kjo parti di të bëjë “katarsis”, dhe kjo jo domosdoshmërisht me “forcën e kamxhikut”, për të lënë mjaftueshëm shenja shpirtërore sa të mund të krijohen hendeqe të tjera si ato me “ish”-ë, si Patozi, Topalli, Imami, Bode etj.
– Emra si Edmond Spaho, Genc Pollo, Tritan Shehu, Lorenc Luka, Andrea Mano, Ardian Turku, Ferdinand Xhaferri, Besnik Mustafaj, Genc Ruli (këta dy të fundit kanë pohuar se nuk do të jenë në listë), dhe deri tek ish-presidenti Bujar Nishani, i kanë dhënë shumë PD-së gjatë këtyre viteve. Por ndoshta ky është momenti i duhur që ata t’ua lënë stafetën më të rinjve, duke refuzuar mundësisht vetë, një kandidim të mundshëm (gjasat janë që asnjëri prej tyre të mos jetë në listë, pavarësisht nëse janë kandiduar nga baza gjatë pjesës së parë të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë). Do të ishte gati vetëvrasje që PD-ja të ridilte në fushatë me të njëjtat personazhe si në të paktën 20 vitet e fundit. Madje, nën vazhdën e një debati të stisur kohët e fundit, mbi rikthimin e “të larguarve” të 2017-s, do të ishte dy herë e gabuar, nëse emra si Jozefina Topalli, Arben Imami, Myqerem Tafaj, Kastriot Islami apo edhe Jemin Gjana, të riviheshin në listën e PD-së. Hiq Topallin, e cila teorikisht gëzon ende pak popullaritet (por gjithnjë e më të ngushtë), në qarkun e Shkodrës, të tjerët asesi nuk do të mund të prodhonin më shumë vota për ta parë më pas PD-në në pushtet. Ndaj, një gjë e tillë thjesht do të shuante ca inate të përbrendshme, por zor se do të ndikonte tek elektorati i mëdyshtë, ai që realisht të sjell në pushtet.
Në të njëjtën frymë arsyetimi do të duhet të qëndrojë edhe ish-kryeministri dhe ish-kryetari, Sali Berisha. Edhe pse në pamje të parë PD-ja duket gati e pakuptueshme dhe jetime pa liderin e vet historik, z. Berisha, një personalitet, i cili gëzon ende sot ndikim shumë të madh në një pjesë tejet të konsiderueshme të demokratëve, duhet pranuar se koha nuk kursen askënd, përfshirë edhe këtë të fundit. Në prag të 76-vjetorit (i mbush më 15 tetor), pensionimi i tij duhet të jetë edhe si një ogur i mirë që Basha jo thjesht të marrë postin e kryeministrit, por edhe t’i mbyllë “gojët e liga” të atyre që për ta sulmuar i kanë kujtuar vazhdimisht “hijen e Berishës”. Jo pak herë edhe vetë Rama, kur i është dashur të krijojë divergjenca apo të ulë personalitetin e Bashës, ka përdoruar shprehjen: “ja prit sa të flasë me atë kryetarin e vërtetë, Saliun”. Një gjë e tillë, me dashje apo jo, e ka nxjerrë Bashën si një lider kukull, apo rezervë duke ia zvogëluar autoritetin apo legjitimitetin. Është koha që ose vetë Berisha të kuptojë se koha nuk flet më për të, ose Basha të vërë në zbatim teorinë frojdiane dhe “të vrasë përfundimisht babanë”. Shtatë vjet pasi mori drejtimin e partisë, Basha e ka fituar tashmë të drejtën që të drejtojë “PD-në e tij”.
– Ndërkaq, në referencë të ndryshimeve kushtetuese, me një listë pothuajse të hapur (në ¾ e saj, kandidatët për deputetë zgjidhen nga elektorati), për të fituar nuk mjafton të kesh vetëm personalitete. Askush nuk e vë në dyshim faktin se emra, si Flutura A֛çka, Aurel Plasari, Nevila Xhindi, Çlirim Gjata, Orjola Pampuri, Ylli Asllani, Agron Gjekmarkaj, Afrim Krasniqi, apo Erald Kapri janë vlerë e padiskutueshme e shtuar, nëse do të jenë në listën e PD-së. Madje, do t’i bënin absolutisht nder me prezencën e tyre parlamentit të ri, por nëse të gjithë këta do të ishin jo në listën e sigurt, zor se një pjesë të madhe të tyre do të mund ta shohim të betohet si deputet në 2021-shin. Kandidimi me një listë të hapur është specifik, pasi gara nuk është vetëm me kundërshtarin politik, por edhe brenda llojit, pra brenda partisë. Dhe në këtë sens, të avantazhuar mund të dalin personazhe shumë më pak të njohura apo aspak mediatike, por që gëzojnë ndikim të madh në zonat e tyre të influencës.
Sa për shembull, anëtari i Asamblesë së PD-së, av. Përparim Çaça, në Kavajë, ose bankieri Jolio Dine në Sarandë, emra aspak mediatikë, por që me shumë gjasa do të merrnin shumë herë më tepër vota në zonat e tyre (Kavajë dhe Sarandë), përkundrejt personazheve të tjera të të djathtës në të njëjtat zona, sado më mediatike, apo gjoja më afër kryetarit dhe Kryesisë të ishin këta të fundit, kjo pikërisht për faktin se si Çaça, ashtu dhe Dine gëzojnë popullaritet shumë të madh. Në këtë kontekst, nuk do të ishte aspak çudi që, nëse në të njëjtën listë do të kishim edhe personalitete emërmëdha, por që mund të rezultonin me një mbështetje tejet të vakët përkundrejt z. Çaça dhe Dine. Në këtë kontekst, për të pasur një rezultat drejt një fitoreje të sigurt, PD-ja jo thjesht duhet të bëjë një “katarsis” cilësor, por edhe një listë kandidimi mes personalitetesh dhe personazhesh me më shumë influencë. Pra, Basha nuk duhet thjesht të mundë Ramën me zgjedhje, por edhe ta ndajë një herë e mirë Shqipërinë nga tranzicioni postkomunist, duke sjellë një frymë evropianiste në parlamentin e ri, me personalitete që nuk kanë kurrëfarë lidhjeje me kohën e diktaturës, ashtu sikundër vetë ai do të ishte i pari kryeministër, i rritur dhe i diplomuar në demokraci.