Sfida indipendentiste e Katalonjës është një sfidë tjetër e vështirë për Bashkimin Evropian, që shpresonte më në fund të qetësohej nga një dekadë krizash ekzistenciale, nga kriza financiare te Brexit duke kaluar te migracioni.
“Në një fare mënyre, BE-ja është një institucion i bërë për kohëra të lumtura. Kur gjithçka shkon mirë, ajo funksionon mirë”, thekson Stefani Weiss, drejtoreshë e zyrës së “Fondation Bertelsmann”.
”Por, që prej lindjes së një problemi, ajo haset me vështirësi të mëdha për t’u pozicionuar dhe për të reaguar”, shton ajo.
“Ky problem po ndodh tashmë që prej shumë kohësh”, shtoi ekspertja duke kujtuar se indipendentistët katalanas e kanë përgatitur referendumin e tyre për vetëvendosje që prej disa vitesh.
“Por, ai nuk ka marrë kujdesin e kërkuar në Bruksel”, thekson ajo.
Jashtë Belgjikës, ku nacionalistët flamandë janë një peshë e rëndë për koalicionin në pushtet dhe Sllovenisë, lindur nga një shkëputje nga ish-Jugosllavia, kryeqytetet evropiane ruajnë heshtjen ose shfaqin një mbështetje për kryeministrin, Mariano Rajoy.
Sepse edhe vendet më të decentralizuara tremben se precedenti katalanas mund të frymëzojë rajone të tjera separatiste duke shkaktuar një reaksion zinxhir që do ta bënte BE-në të pamundur për të qeverisur.
“Nëse sot ju e lejoni Katalonjën të thyejë unitetin e Spanjës, kjo do të shkaktojë një efekt domino në të gjithë kontinentin. Në vend të një Evropë me 27 vende, ne do të kemi një joEvropë me minishtete”, paralajmëroi eurodeputeti spanjoll Esteban Gonzalez Pons.
BE i ka mbijetuar krizës bankare botërore të vitit 2007, më pas krizave të borxhit që nuk arritën të shohin Greqinë jashtë zonës euro në vitin 2015.
Por, pavarësisht thirrjeve të bëra nga indipendentistët, të eurodeputetëve apo ekspertëve, BE nuk ka asnjë interes të hyjë në një ndërmjetësim sepse kjo do të legjitimonte separatistët”, thekson Frederic Allemand, kërkues për studimet evropiane në Universitetin e Luksemburgut.