Bota ANALIZA/ Përse tërheqja e Joe Biden shqetëson BE-në?

ANALIZA/ Përse tërheqja e Joe Biden shqetëson BE-në?

Njoftimi i presidentit amerikan Joe Biden për t’u tërhequr nga gara presidenciale pritet të dominojë takimin e sotëm të ministrave të jashtëm të BE-së … mes shqetësimeve në pjesën më të madhe të Europës mbi perspektivën e një presidence të dytë të Donald Trump.

Temat kryesore të planifikuara për takimin e sotëm do të jenë konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme dhe vendimi historik i Biden i cili rrezikon të lërë ”në hije” bisedimet e Brukselit.

Njoftimi i Biden se ai nuk do të kandidojë për një mandat të dytë erdhi të dielën, duke e vendosur partinë e tij Demokratike “në siklet”, ndërsa garon për të emëruar një kandidat për t’u përballur me rivalin republikan Donald Trump më 5 nëntor.

Marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara janë përkeqësuar nën presidencën e parë të Trump dhe ekziston një lloj frike në pjesën më të madhe të bllokut se një mandat i dytë i Trump mund të ketë pasoja të gjera për luftën në Ukrainë, tregtinë globale dhe sigurinë evropiane në përgjithësi.

Megjithatë, jo të gjitha kryeqytetet e BE-së i ndajnë këto shqetësime, pasi blloku po kalon një zhvendosje politike në të djathtë, shembull në zgjedhjet e parlamentit Evropian të muajit të kaluar.

Reagimet e hershme të së dielës në mbrëmje përfshijnë nga njëra anë kryeministrin polak Donald Tusk, i cili lavdëroi Biden në X për “vendimet e tij të shumta të vështira falë të cilave Polonia, Amerika dhe bota janë më të sigurta dhe demokracia më e fortë”.

Në anën e kundërt të spektrit, Geert Wilders, lideri i Partisë së Lirisë Holandeze të ekstremit të djathtë, ripostoi një postim në Twitter që tregonte Trumpin me grusht të ngritur pas atentatit të javës së kaluar, së bashku me fjalët “President Trump”.

Vëmendja ka të ngjarë të përqendrohet gjithashtu te kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili u takua me Trumpin në fillim të këtij muaji në një mori aktivitetesh diplomatike që përfshinin gjithashtu vizitën tek presidenti ukrainas Zelensky, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping.

Hungaria mori presidencën e radhës të BE-së në korrik, por zyrtarët dhe kolegët e lartë të BE-së janë distancuar nga “misioni i paqes” i vetëshpallur i Orbanit.

Më vete, Hungaria është nën presion për të hequr veton e saj mbi financimin për të mbështetur përpjekjet e luftës të Ukrainës.

Ministrat e Jashtëm do të diskutojnë mbështetjen e BE-së për Ukrainën, si dhe dëmin e shkaktuar në infrastrukturën energjetike të vendit, e cila është sulmuar nga Rusia.

Bisedimet pritet të mbulojnë edhe situatën humanitare në Gaza në kuadër të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, si dhe tensionet në rritje në kufirin mes Izraelit dhe Libanit.