Kërkesat dhe propozimet që 5 emisarët perëndimorë kanë nxjerrë para Kosovës dhe Serbisë, janë të prera për të dyja vendet, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë dhe Beograd. Për përmbajtjen e tyre ka pak informacione, por thuhet se i obligojnë palët për disa hapa që do të çonin në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan për herë të fundit më 14 shtator. Dhjetë ditë më pas ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura sulmuam policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Kosova bëri përgjegjëse Serbinë për këtë sulm, Serbia tha se ai është kryer nga një “grup i serbëve të dëshpëruar lokalë”.
Në përpjekje për t’i kthyer palët në tryezën e bisedimeve, diplomatë nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia qëndruan më 21 tetor në Prishtinë dhe në Beograd, ku paraqitën kërkesat e tyre.
Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se cilat janë ato dhe si do të përgjigjet Kosova ndaj tyre. Sipas analistëve Agon Maliqi dhe Dushan Janjiq, ato kanë të bëjnë me një hartë të rrugës që duhet ndjekur për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të arritur në muajin shkurt në Bruksel.
Burimet diplomatike evropiane i thanë Radios Evropa e Lirë se kërkesat për Kosovën kanë të bëjnë me pranimin e një drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndërsa ato për Serbinë me respektimin pa kushte të obligimeve që dalin nga Marrëveshja për normalizim.
Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se nga ajo që është kuptuar deri më tash, në planin e pesë emisarëve perëndimorë përfshihet çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe hapat për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Me gjasë [emisarët perëndimorë] kanë ardhur me një ultimatum mbi sekuencën dhe hapat se si do të shkohet deri te zbatimi [i marrëveshjes]. Propozimi, me gjasë, nuk është i hapur për komentet e palëve, por më shumë është si dokument ose si një sekuencë e formës ‘pranoje ose lëre’. Kjo duket qartë, për shkak se afatet kohore për fillimin e zbatimit të marrëveshjes, po harxhohen”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, fakti që ekzistojnë pritje që liderët e Kosovës dhe Serbisë të takohen sa më shpejt, tregon që vendet e QUINT-it – SHBA-ja, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia – kërkojnë përgjigje të shpejtë dhe hapa të shpejtë nga të dyja palët. Maliqi thotë se kërkesat e ndërkombëtarëve me siguri që nuk lënë anash as sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Në lidhje me zhvillimet në veri, gjithsesi duhet të ketë dhe besoj se do të ketë [kërkesa nga emisarët perëndimorë], qoftë në formën e kushtëzimeve për Serbinë në rrugën e saj integruese, apo edhe ndonjë propozim konkret se çka pritet prej Serbisë në kuptimin e marrjes së masave ndaj grupit [të armatosur]. Kjo besoj se është shumë e nevojshme që të krijohet një lloj fryme e parandalimit të çfarëdo përpjekjeje të ardhshme për destabilizim”, thotë Maliqi.
Pranimi i kërkesave të emisarëve perëndimorë, sipas tij, do të varet nga pasojat që po këta emisarë do t’ua komunikojnë palëve, në rast se nuk i pranojnë ato.
Janjiq: Siguria në veri, kërkesë parësore
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie etnike në Beograd, vlerëson se BE-ja dhe emisarët perëndimorë, në esencë, po përpiqen të mbajnë një lloj dinamike sa u përket çështjeve politike në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Por, shton ai, para cilësdo çështje politike, ata kërkojnë ta definojnë gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës. Janjiq vlerëson se sulmi në Banjskë, është çështja e parë që trajtohet në kërkesat e emisarëve perëndimorë. Kjo situatë, sipas tij, paraqet problem serioz për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Nuk i japin hapësirë [Vuçiqit] të lëvizë jashtë kësaj çështjeje të sigurisë, derisa të mos fillojë gjykimi [ndaj grupit të armatosur] dhe derisa të mos zgjidhet çështja e kthimit [të serbëve të veriut] në institucione. Kjo është e re, sepse, për herë të parë, ata janë në prag të bisedimeve për pakon e sigurisë, e cila, sipas definicionit, nuk funksionon në formatin ku [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak dhe [shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep] Borrell janë kryesorët. Këtë do ta mbikëqyrë grupi i QUINT-it”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, deklaratat e Vuçiqit se vendet e Perëndimit i kanë politikat e veta që “janë plotësisht të kundërta” me qëndrimin e Serbisë, janë për “konsum të brendshëm”. Janjiq thotë se Vuçiq është pajtuar tashmë me Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilin është rënë dakord në Ohër.
“Ai [Vuçiq] e ka pranuar në shkurt atë marrëveshje, ku statusi [i Kosovës] është i zgjidhur, pra pranimi i ekzistencës së Republikës së Kosovës dhe të tjerat. Kështu po bëhet përpjekje që të ruhet ai niveli politik [i dialogut], por se, në esencë, insistohet në siguri. Për të do të marrë mbikëqyrje më të madhe EULEX-i [Misioni i BE-së për sundimin e ligjit]”, thotë Janjiq.
Ai thekson se, pa stabilizimin e situatës së sigurisë në veri, nuk mund të ketë dialog për zbatimin në terren të obligimeve që dalin nga Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Çfarë u tha në Prishtinë dhe në Beograd për kërkesat e emisarëve ndërkombëtarë?
Në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria së Kosovës u tha se “të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij”. Aty nuk u dhanë detaje se për çfarë plani bëhet fjalë. Por, sipas komunikatës, Kurti tha se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.
Në Beograd, Vuçiq tha se takimi ishte “i vështirë”, por se nuk mund të japë më shumë hollësi. Ai tha se “qëllimi i vetëm” i Perëndimit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe se pret që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë kah fundi i kësaj jave.
Kurti edhe Vuçiq pritet të jenë në Bruksel këtë të enjte, kur mbahet një samit i Këshillit Evropian. Sipas burimeve të BE-së, afati i tyre për t’u deklaruar për kërkesat e emisarëve, “nuk është i gjatë” – “më së largu deri të enjten”.
Në rast se do të ketë përparim nga ta, atëherë në konkluzat e samitit të BE-së pritet të përfshihet një porosi për Kosovën dhe Serbinë dhe për procesin e dialogut, thonë burimet e BE-së. SHBA-ja, po ashtu, përsëriti thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u mbajt të hënën, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, Robert Wood, tha se “është e rëndësishme që palët të bëjnë përparim në të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog”. Ai, gjithashtu, tha se personat e përfshirë në sulmin në Banjskë, duhet të mbahen përgjegjës. /Bekim Bislimi, REL