Bota ANALIZA/ Si po përballet Britania me Brexit

ANALIZA/ Si po përballet Britania me Brexit

Largimi nga Bashkimi Europian. Për aq kohë sa qeveria do t’i mohojë të metat e Brexit, vendi rrezikon të marrë rrugën e sigurt drejt katastrofës.

Krizat? Cilat kriza? Aq shumë janë shkaktuar në Britani që nga momenti i votimit të Britanisë një vit më parë për t’u larguar nga BE-ja, sa që është shumë e vështirë t’i ndjekësh të gjitha. Vetëm një muaj më parë, Theresa May ra nga piedestali i Zonjës së Hekurt në drejtimin e thjeshtë të pakicës. Kabineti i saj është i angazhuar në luftëra të hapura, pasi kundërshtarët e saj po shpresojnë shumë në zëvendësimin e saj, shkruan The Economist.

Partia Laburiste, e cila është në duar të një admiruesi të majtë të Hugo Çavezit, është duke kryesuar sondazhet. Ndërkohë media e shkruar pro-Brexit po lobon se kushdo që shpreh dyshime rreth drejtimit të vendit është një tradhtar jopatriotik. Britania është duke kaluar një krizë nervore, e cila reflektohet dukshëm edhe tek qytetarët e saj.

Kaosi në zemër të qeverisë është duke ndikuar negativisht në negociatat e daljes nga BE-ja, ku kjo e fundit po shqyrton pyetje shumë specifike të cilat duhet të përfundojnë në vjeshtën e vitit 2018. Por i gjithë ky kaos ditor fsheh një problem edhe më të madh.

Pavarësisht nga aktiviteti i furishëm politik në Westminster – informatat, kritikat dhe komplotet e ndryshme kanë bërë që vendi të ketë një përparim jashtëzakonisht të vogël, që nga momenti i referendumit në lidhje me vendosjen e formës që do t’i jepej Brexit.

Megjithatë, të gjitha versionet, si ato për një “Brexit të vështirë” ashtu edhe ato për një “Brexit të butë”, kanë të meta.

Liderët e Britanisë, edhe pse me vështirësi, e kanë pranuar faktin se dalja nga BE-ja do të kërkojë edhe kompromise të ndryshme, pa përmendur dëmin që mund të shkaktohet prej tyre. Sa më shumë që ata të shtyjnë përballjen me këto kompromise të dhimbshme, aq më e vështirë do të jetë përballja tjetër me realitetin.

Ndërlikimet

Në 13 muajt e fundit që nga referendumi, ndërlikimet e shumta të përfundimit të një bashkimi politik dhe ekonomik 44-vjeçar janë shumë të qarta. Pozicioni i Britanisë për çdo gjë, nga rezervat e peshkut të llojit skumbri, e deri tek mbetjet bërthamore, po përpunohen nga një shërbim civil, ku numri i të punësuarve të tij ka rënë me gati një të katërtën në dekadën e fundit dhe që nuk ka negociuar një marrëveshje tregtare në një gjeneratë.

Përgjegjësia për Brexit është e ndarë ose më saktë bie në disa departamente të ndryshme. Fillimisht vendimi i Britanisë për të mos publikuar një pozicion të hollësishëm negociues, siç në të kundërt bëri BE-ja, u hodh poshtë për dëshirën e saj, ndërsa tani duket se Britania po përqendrohet shumë në bisedimet e daljes nga BE-ja.

Kreu i mbikëqyrjes për shpenzimet publike ka deklaruar së fundmi se kur u kërkoi ministrave për planin e tyre, atij iu dorëzua vetëm një garanci “e paqartë”. Ai i druhet faktit se gjithçka mund të rrëzohet në përpjekjen e parë.

Teksa shkalla e detyrimit është bërë e dukshme, po aq e dukshme është bërë edhe shkalla e vështirësisë së pozicionit të Britanisë.

Përpara referendumit, Michael Gove, një ndër udhëheqësit pro Brexit në kabinet, deklaroi se “Ditën pasi ne të kemi votuar për t’u larguar, do të jemi ne ata që do ta kemi timonin në dorë. Por nuk po ndodh aspak një gjë e tillë. Deri më tani, aty ku ka pasur mosmarrëveshje, Britania ka dështuar.

Bisedimet do të renditen sipas linjave të sugjeruara nga BE-ja. Britania ka pranuar se do të paguajë një faturë daljeje, në kundërshtim me sugjerimin e Sekretarit të saj të Jashtëm vetëm një javë më parë, i cili u shpreh se Eurokratët mund “t’i shohin në ëndërr” paratë që kërkojnë.

Znj. May, edhe pse e thyer, u ka bërë thirrje partive të tjera për të sjellë ide sa më të reja, në mënyrë të tillë që Brexit të funksionojë. Edhe pse Partia e Punës e ka shumë të vështirë të besojë faktin se mund të ekzistojë mundësia e zgjedhjes së një Kryeministrja socialiste radikale është çuditërisht e interesuar në zhvillimin e zgjedhjeve.

Por bandat ndërpartiake të deputetëve të mbetur po planifikojnë të shtojnë ndryshime të tjera në legjislacion, duke detyruar qeverinë që të përpiqet të mbajë anëtarësimin në Euratom, e cila mbikëqyr kalimin e materialeve radioaktive në Europë. Edhe brenda qeverisë, si pasojë e dobësisë së Kryeministres, disa ministra të kabinetit kanë filluar të shfaqin hapur mosmarrëveshjet rreth formës që Brexit duhet të marrë.

Ideja e Philip Hammondit, kancelarit, është rrëzuar për shkak se ai mbështet një periudhë të gjatë tranzicioni në mënyrë të tillë që Brexit të kalojë pa problem, një ide e ndjeshme e cila shihet me shumë dyshim nga disa mbështetës të tjerë të Brexit, të cilët i frikësohen faktit se faza e tranzicionit mund të jetë e përhershme.

Rihapja e debatit është e mirëpritur, pasi dalja e vështirë e propozuar në manifestin e refuzuar të znj. May do të kishte shkaktuar dëme të panevojshme. Por ka një mungesë realizmi në të gjitha drejtimet rreth asaj se çfarë përfshijnë opsionet e kufizuara të Britanisë. Ka shumë mënyra për t’u larguar nga BE-ja dhe asnjëra prej tyre nuk është pa pasoja.

Sa më shumë Britania të synojë që të ruajë marrëdhëniet e saj ekonomike me kontinentin, aq më shumë asaj do t’i duhet të ndjekë rregullat e vendosura nga politikanët e huaj dhe që do të kërkohen të zbatohen nga gjykatësit e huaj (duke përfshirë këtu çështjen delikate të lëvizjes së lirë).

Sa më shumë kontroll që ajo të kërkojë të ketë mbi kufijtë dhe ligjet e saj, aq më të vështirë do ta ketë në zhvillimin e biznesit me tregun e saj më të madh. Dhe nuk është aspak jopatriotike të jesh i sinqertë në lidhje me këto pengesa. Në të vërtetë, është shumë më jopatriotike tallja me votuesit ne lidhje me krijimin e besimit tek ata që Brexit nuk ka asnjë të metë.

Qeveria nuk ka publikuar asnjë vlerësim të ndikimit të llojeve të ndryshme të Brexit që nga referendumi, por sipas studimeve akademike, opsioni “Brexit i Butë”, anëtarësimi i stilit norvegjez në Zonën Ekonomike Europiane, do të reduktonte tregtinë me së paku 20% gjatë një periudhe dhjetëvjeçare, ndërsa opsioni tjetër i daljes, ai i “Brexit të Vështirë”, ku tregtia do të zhvillohej sipas kushteve të Organizatës Botërore të Tregtisë, do të reduktonte tregtinë me 40%, ndërsa të ardhurat vjetore për person do të zvogëloheshin me 2.6%.

Teksa ekonomia dobësohet, këto shqetësime duken gjithnjë e më të mëdha. Ekonomia e Britanisë po rritet me ritme më të ngadalta në krahasim me ato të çdo anëtari tjetër të BE-së. Zgjedhjet treguan se votuesit e saj janë të lodhur nga masat shtrënguese. Kur të detyrohen të zgjedhin, një shumicë britanikësh do të favorizojnë një “Brexit të Butë”, brenda tregut të vetëm.

Sërish në lojë

Ndjesia e pakënaqësisë që ka pushtuar pothuajse të gjithë vendin dhe vakuumi i fuqisë në Downing Street, nënkupton që të gjitha opsionet janë të mundshme. Kjo situatë po shkakton panik te njerëzit në të dyja anët.

Të gjithë mbështetësit e “Brexit të Ashpër” janë sërish të shqetësuar për Britaninë, në rast se ajo do të largohet nga negociatat pa asnjë marrëveshje, sepse mund të ndodhë që votuesit të ndryshojnë mendim.

Disa të tjerë po i shtojnë thirrjet për një referendum të dytë, në mënyrë të tillë që t’i japin vendit një drejtim të ri, larg kaosit të krijuar. Teksa për negociatat nuk po bëhet asgjë dhe ndërkohë që afati i përfundimit po afrohet, tensioni po shtohet.

Prandaj është më shumë e rëndësishme që të gjitha palët të përballen me kompromiset e vërteta dhe të dhimbshme që Brexit kërkon. Sa më shumë që Britania të vonohet dhe të mos marrë një vendim, aq më shumë rriten mundësitë që ajo të përfundojë pa asnjë marrëveshje dhe të mos ketë kohë që të përgatitet edhe për pasojat, gjë që do të shkaktonte një krizë të përmasave edhe më të mëdha.