Sport Ancelotti gjithnjë e më pranë Brazilit, Xabi Alonso do të jetë pasardhësi...

Ancelotti gjithnjë e më pranë Brazilit, Xabi Alonso do të jetë pasardhësi i tij te Real Madrid

Gjithçka përputhet në mënyrë të përkryer. Kontrata e trajnerit italian Carlo Ancelotti me Real Madrid skadon pas një viti. Ajo e trajnerit spanjoll Xabi Alonso me Bayer Leverkusen skadon po pas një viti. Pra, është e qartë situata në klubin madrilen pas 365 ditësh.

Xabi Alonso do të jetë pasuesi i Ancelotti te skuadra “los blancos”, kur trajneri italian të marrë drejtimin e kombëtares braziliane. Lajmin e konfirmon sot e përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo”, duke shtuar se presidenti Florentino Perez ka dhënë bekimin e tij për ardhjen e Alonso.

41-vjeçari Xabi Alonso, një ish-lojtar i skuadrës madrilène (4 gola në 158 ndeshje me fanellën los blancos), do të marrë drejtimin verën e ardhshme. Ai ka një marrëdhënie të mirë si me klubin ashtu dhe me tifozët, ndërkohë që këtë sezon u paraqit mirë në Bundesliga dhe në Europë.

Ndërkohë që, Ancelotti do të lërë Europën për të bërë karrierën me Brazilin. Federata e këtij vendi ka konfirmuar se do të presë një vit kur të skadojë kontrata e trajnerit italian me Real Madrid.