Në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së radës në Serie A, Carlo Ancelotti ishte protagonist absolut. Ai sulmoi administratën lokale të qytetit dhe institucionet rajonale: “U shqetësuam që punimet në stadium nuk do të përfundojnë në kohë. Shpresoj që nesër gjithçka do të jetë në rregull. Pritej të kishin mbaruar punimet që më 31 gusht, ndaj kjo vonesë më ka hidhëruar. Qyteti i Napolit meriton një stadium komod, ku gjithçka duhet të funksionojë në mënyrë perfekte”. Më pas, trajneri kaloi te çështjet sportive, që lidhen me Napolin e tij dhe rivalët.
Dy ndeshje në katër ditë. Në çfarë gjendje është skuadra?
Unë do të thoja mirë. Lojtarët e dëmtuar janë rikuperuar, Insigne dhe Milik kanë filluar të punojnë me ekipin. Tani më takon mua të vlerësoj nëse ata do të jenë në dispozicion nesër. Lozano mbërriti mbrëmë, do të stërvitet sot dhe nuk ka asnjë problem. Na presin ndeshje të ngjeshura, por për mua, sfida më e rëndësishme deri tani është ajo me Sampdoria. Nuk mendoj fare për xhiron e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve dhe sfidën me Liverpool. Jo, më besoni, nuk po mendojmë për këtë, madje as kemi folur për të. Për kundërshtarin kemi njohuri; jemi takuar shumë herë, nuk kemi sekrete. Kalendari do të na japë mundësinë të luajmë katër herë në “San Paolo” në katër ndeshjet e ardhshme dhe kjo është një gjë e mirë. Do të ketë rotacion në skuadër. Të gjithë lojtarët do të përdoren, sepse cilësia e grupit më lejon.
Keni pësuar 7 gola në dy ndeshjet e para të Serie A…
Ne kemi bërë keq në fazën mbrojtëse, por edhe në atë sulmuese. Nuk kemi treguar efektivitet të madh. Faza mbrojtëse nuk është një problem individual, por e krejt repartit. 7 golat e pësuar në dy ndeshjet e para nuk janë sinjale të mira për mua”.
Rivalët tuaj?
Interi ka bërë një fushatë blerjesh të goditura, çka ka sjellë entuziasëm. Pastaj, Conte është një trajner i vendosur dhe shumë motivues. Zikaltrit e filluan mirë, është në rangun normal të gjërave që të konsiderohen të fortë, një pretendent për të fituar titullin. Juventusi mbetet favoriti kryesor. Ju do të shihni një kampionat të ekuilibruar. Edhe ne do të luftojmë deri në fund. Duam më të mirën, jo të përfundojmë të dytët.