“Komisioni Europian i gatshëm të bëjë çdo propozim për të realizuar zgjerimin në vitin 2030”, kështu ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale Komisioneri i Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Menjëherë më pas, ka qenë kryeministri Rama ai i cili shkruan në Twitter se Varhelyi nuk e zhgënjen kurrë Ballkanin Perëndimor, sidomos në kohë të vështira.
“Komisioneri ynë që nuk e zhgënjeu kurrë rajonin tonë, veçanërisht në kohë të vështira. Duhet pranuar se pas fjalimit të papritur të Presidentit Michel në Forumin Strategjik të Bled, ‘autobusi’ i ngadalshëm i BE-së po bëhet një vend interesant për të qëndruar edhe pa një vend të lirë, padyshim që pasagjerët e Ballkanit Perëndimor mund të durojnë më mirë një udhëtim të gjatë ndërsa ndjekin një bisedë me zë të lartë mes djemve që janë ulur”, shkruan kreu i qeverisë.
Kujtojmë se gjatë Forumit të Bled në Slloveni, ishte Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ai i cili e bëri thirrjen për zgjerim duke theksuar se vendeve tanimë duhet t’u referohemi “vende të ardhshme anëtare të BE-së”.
“Për të qenë më të fortë dhe më të sigurt ne duhet të forcojmë lidhjet tona dhe të bëhemi më të fuqishëm. Prandaj, tani është koha që të merremi me sfidat e zgjerimit, si për ne në BE, ashtu edhe për shtetet tona të ardhshme anëtare. Por, besoj se ne tani duhet t’i quajmë këto shtete me perspektivë evropiane si shtete të ardhshme anëtare”, theksoi Michel.