Opinione Angela Merkel, liderja e botës së lirë

Angela Merkel, liderja e botës së lirë

Angela Merkel, ose ndryshe “liderja e botës së lirë”, siç po konsiderohet tashmë gjerësisht, nuk priti gjatë për të parë shpinën e Donald Trump, përpara se ta bënte të qartë që gjërat kishin ndryshuar. Duke folur para një turme prej 2500 personash në Mynih, ku hapi fushatën elektorale, ajo tha se Bashkimi Europian duhet tashmë të përgatitet për t’u kujdesur vetë për veten, sepse nuk mund të mbështetet më tek Mbretëria e Bashkuar apo Amerika.

“Koha kur mund të mbështeteshim plotësisht tek të tjerët ka marrë fund. E kam provuar këtë gjatë ditëve të fundit. Ne europianët duhet ta marrin fatin tonë në dorë”.

Kjo është një deklaratë vërtetë dramatike nga një lider që nuk i pëlqen dramat. Koha kur ajo do t’ia japë dorën Trump është larg. Ky i fundit mund të ndihet i çliruar për këtë, por nënvlerësimi i Merkelit, shpesh ka rezultuar me pasoja për liderët egoistë meshkuj.

U tha se ishte koiçidencë që ajo u takua me Barack Obamën të njëjtën ditë që takoi Trump. Iu desh kohë që të krijonte miqësi me Obamën. Mesa duket, asaj nuk i pëlqente “atmosfera” rreth tij kur u zgjodh për herë të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe dëshironte një marrëdhënie me bazë “bashkëbisedimin”. Dhe në fund ia doli.

Duke e parë në G7, statusi i saj si lider, qëndrimi, aftësia për të ndërmjetësuar një marrëveshje dhe një marrëdhënie është edhe më shumë mbresëlënëse. Çdo ditë e më shumë shtohen ata që e pëlqejnë Kancelaren gjermane. Edhe të majtët e respektojnë, pavarësisht se është e djathtë. Teksa Trump tronditi në Europë me sjelljen e tij injorante ndaj gjuhëve të tjera, kulturave apo qoftë edhe të sjelljeve bazike, Merkel ishte në pozicionin e duhur. Teksa ai rropatej sepse nuk kishte atë që i duhej për të treguar aftësitë e një lideri të vërtetë, Merkel ishte krah lidërve të tjerë.

Interneti u mbush me figura tallëse për Trump, ndërsa për Merkel u tregua mimika e saj e kënaqur sa herë përballet e të. Ajo është në majë të lojës së saj, një lojë që ai nuk ka asnjë ide sesi ta luajë.

Vladimir Putin e dinte që ajo i kishte frikë qentë, kështu që mori me vete një labrador, kur u takua në 2007 -ën. Asaj nuk i lëvizi qerpiku, ndërsa më vonë tha: “E kuptoj përse duhet ta bëjë këtë, për të provuar se është mashkull… Ai ka frikë nga dobësitë e tij”. Nuk është aspak habi që Emmanuel Macron u drejtua për nga Trump, por jo përpara se të përshëndeste fillimisht Merkel.

Sigurisht jo të gjithë e pëlqejnë Kancelaren gjermane. Irlandezët, portugezët, grekët, spanjollët dhe italianët kanë ndjerë forcën e saj, që i detyroi qeveritë e këtyre vendeve të marrin masa shtrënguese, si çmim e të qenit pjesë e Bashkimit Europian. Në një moment të caktuar, protestuesit grekë e portretizuan atë me mustaqet e Hitlerit. Politikat e saj ekspansioniste, ku çdo vend tjetër duhet të përpiqet që të ketë po aq mirëqenie sa Gjermania, kanë patur një çmim të madh për vende të cilat ajo i sheh si të papërgjegjshëm në aspektin fiskal.

Kritikët në Gjermani thonë se ajo ka marrë një lloj aprovimi të “paralizuar”. Ata ankohen për metodologjinë dhe mënyrën sesi përballet me politikat.

Pavarësisht kësaj, kjo është arsyeja për “Mutti” (mami) konsiderohet kaq e mirë në menaxhimin e krizave. Shfaqet teatrale nuk i interesojnë, por ka një vizion, një moral, një synim, që çuan edhe në zhvillimin e një politike për të marrë refugjatët, që kërkonte guxim.

E pyetur nëse ishte feministe, teksa qëndronte krah Ivanka Trump, kjo e fundit ngriti menjëherë dorën për të thënë se po, ndërsa Merkel e cila ka bërë kaq shumë për femrat hezitoi dhe më pas tha: “Nëse mendoni se jam e tillë, votoni për këtë”. Miqtë thonë se ajo e konsideron veten të emancipuar nga studimet dhe fakti që është rritur në Gjermaninë Lindore, ku është normale që femrat të punojnë. Bashkëshorti i saj, profesor kimie teorike, Joachim Sauer nuk ka nevojë për siguri. Ata bëjnë një jetë të pa disiplinuar.

Foto e Merkel duke shijuar patatina, duke parë ndeshje futbolli, apo duke pirë birra nuk janë false. Është pikërisht ajo çka Merkel bën, ndonëse kohët e fundit nuk konsumon më duhan dhe nuk kafshon thonjtë, siç bënte kur ishte e re. Të gjitha këto detaje e ndihmuan atë që të dilte në krye të partisë së saj.

Dhe sot, ajo është e aftë që të kundërshtojë drejtpërdrejt Trump dhe të thotë se Amerika e tij nuk është mike e Europës.

Çfarë femre e jashtëzakonshme. Nuk ka asnjë problem, shprehet ajo, vetëm “detyra” për t’u zgjidhur. Duke refuzuar që ta shohë veten si një lidere femër, ajo preferon ta konsiderojë atë si pjesë të politikës me peshë të rëndë.

Angela Merkel është padyshim pasqyrim i një personi të fortë dhe të qëndrueshëm./ The Guardian