“Kulla e xhamisë Koutoubia”, një pamje panoramike e Marrakesh e pikturuar nga ish-kryeministri britanik, Winston Churchill, u shit për 7 milionë paund në Londër nga shtëpia e ankandeve Christie’s.
Churchill u frymëzua nga qyteti në Marok dhe e bëri pikturën gjatë një turneu në qytet, gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 1943.
Vepra, e cila ishte në pronësi të aktores Angelina Jolie, u vlerësua në mes 1.5 dhe 2.5 milionë paund, por ofertat u rritën deri në 7 milionë paund.
Duke llogaritur tarifat e komisioneve, shifra përfundimtare është 8.2 milionë paund.
U shitën gjithashtu edhe dy piktura të tjera të Churchill. Të trija veprat u shitën për 9.43 milionë paund.
Në mediat e huaja thuhej se roli i Brad Pitt në filmin e Quentin Tarantino për Luftën e Dytë Botërore, i ngjalli një interes të madh për punët e Winston Churchillit. Madje thuhet se çifti ka bërë edhe një vizitë tek Dhomat e luftës së Churchill në Mbretërinë e Bashkuar gjatë një turi privat.
E vetmja pikturë që Churchill pikturoi gjatë luftës
Churchill e realizoi pikturën menjëherë pas takimit të nivelit të lartë të luftës, në të cilin ra dakord me Roosevelt për fazat e ardhshme të një strategjie të përbashkët kundër Gjermanisë naziste.
“Është e vetmja punë që Churchill pikturoi gjatë luftës, ndoshta e inkurajuar nga përparimi i Aleatëve, në një vend që ai e konsideroi si një nga më të bukurit që ka parë”, tha Nick Orchard, kreu i artit modern britanik në Christie’s.
Tregtari i artit Bill Rau, nga i cili Pitt bleu pikturën, tha se ajo iu dhurua djalit të Presidentit Roosevelt, i cili e shiti atë në 1960.
Piktura përfundoi në New Orleans ku ajo kishte qenë në shtëpinë e familjes për më shumë se 50 vjet, dhe kur njëra vajzë e familjes e trashëgoi atë, ajo e shiti.
Churchill pikturoi disa motive marokene para luftës.