Ish-ministri i Financave Anastas Angjeli thotë se kriza që ka mbërthyer ekonominë për shkak të Covid-19 nuk do të kursejë askënd. I ftuar në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, profesor Angjeli thekson se pjesa më e goditur nga kriza do të jetë shtresa e varfër e popullsisë.
“Kësaj krize nuk i shpëton askush. Kur them nuk i shpëton askush kam parasysh që nëse pandemisë mund ti shpëtojnë sipas statistikave të OBSH-së 30 përqind e popullsisë atëherë edhe nga pikëpamjet e tjera nuk do ti shpëtojë po 70 përqind e popullsisë. Pra të gjithë do të goditen nga kjo krizë që po ndodh edhe ekonomikisht. Pjesa më e goditur është ajo pjesë e cila mund të konsiderohet që është shtresë me të ardhura të ulta.”
Profesor Angjeli sqaroi në Përballë se qeveria ka marrë masat e duhura për t’i bërë ballë kësaj situatë të vështirë përmes dy paketave mbështetëse. Por përse shteti nuk hedh më shumë para?
“Gjëja e parë është që duhet t’i kesh ato para, ne e dimë situatën aktuale ekonomike. Ka para, por nuk ka para të mjaftueshme. Ndërhyrjen me instrumenta duhet ta shikojmë në kohë. Ne kemi vepruar deri tani, duam s’duam, pavarësisht nga mendimet e ndryshme, ndërhyrja ka qenë në kohë dhe eficente. A ka qenë e mjaftueshme? Hajde ta diskutojmë këtë punë. Por nga pikëpamja e llojit të masave që ka marr qeveria është në të njëjtën linjë me shtetet e tjera, ka zgjedhur të ndihmojë sektorët jetik. Ka pasur gjithashtu edhe sektorët më të prekur në ekonomi. Si instrumenta janë në rregull, si mundësi për të mbrojtur buxhetet e qytetarëve është në rregull. Si sasi pastaj varet nga buxhetet.” – përfundoi Angjeli.