Anija “Moliva” me 102 kontejnerë me mbetje që dyshohen të rrezikshme, do të vazhdojë të qëndrojë në radë, rreth 1.5 milje larg Portit të Durrësit.
Anija mbërriti 3 ditë më parë dhe vazhdon të qëndrojë po aty.
Anija “Moliva” do të qëndrojë në radë derisa Autoriteti Portual të vendosë për lejimin e saj në Portin e Durrësit.
Duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë së Durrësit që kërkonte angazhimin e disa institucioneve për të gjetur një vend të sigurt mjedisor dhe garantimin e sigurisë fizike përmes monitorimit 24 orë me kamera, Autoriteti Portual ka kthyer përgjigje duke theksuar se nuk mund të sigurojë një hapësirë të përshtatshme, pasi mbetjet konsiderohen të rrezikshme dhe kërkojnë kushte të veçanta sigurie.
Nga ana tjetër, ky institucion nuk mund të garantojë ruajtjen fizike të tyre me kamera 24 orë ashtu sikurse ka urdhëruar prokuroria.
Sapo anija “Moliva” me kontejnerët e mbetjeve sapo mbërriti 1.5 milje larg portit, prokuroria kërkoi sekuestrimin e të gjithë kontejnerëve dhe angazhoi një sërë institucionesh për kryerjen e praktikave hetimore.