Anijet shqiptare që lundrojnë në ujrat ndërkombëtare tashmë janë futur në listën e zezë të asaj që njihet si Memorandumi i Parisit.
Në kuadër të këtij memorandumi, organizmi vlerëson gjendjen dhe standardin e anijeve të secilit shtet, pavarësisht faktit nëse ai vend është ose jo vend firmëtar i memorandumit të Parisit. Shqipëria nuk është ndër vendet firmëtare, por kjo nuk e pengon organizmin që të inspektojë anijet shqiptare dhe t`i klasifikojë ato. Kështu, flamuri shqiptar është deklasuar në listën e zezë. Tashmë, qëndron krah vendeve si Kamboxhia, Kongo, Togo apo Sierra Leone, ndërkohë që Ukraina dhe Moldavia janë të vetmet europiane të tjera pjesë e listës së zezë.
Brenda kësaj liste, Shqipëria klasifikohet ndër vendet me rrezik mesatarisht të lartë. Lista e re do të hyjë në fuqi më 1 Korrik të këtij viti zyrtarisht. Vitin e kaluar ndërkohë, Shqipëria klasifikohej në vendin e 58-të në botë dhe në listën gri. Kriteret mbi të cilat vlerësohen anijet i referohen sigurisë ndërkombëtare, asaj ambientale, si dhe sigurisë në tërësi.
Por, në çfarë përkthehet përfshirja e Shqipërisë në listën e zezë?
Deklarimi i këtij viti, do të thotë se, që prej datës 1 Korrik kur hyn në fuqi lista e re, anijet që mbajnë flamurin shqiptar do të kenë gjasa shumë të larta që të mos lejohen të ankorojnë në portet që janë pjesë e memorandumit të Parisit, dhe ku përfshihen pjesa më e madhe e porteve të vendeve europiane, por edhe më gjerë./SCAN