Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur ditën e sotme për të votuar prokurorët e rinj të SPAK.
Pas verifikimit që SPAK ka bërë për Anita Jellën, ka dorëzuar raportin pranë KLP-së. Anëtarët e KLP kanë vendosur se Jella i plotëson kushtet për të ushtruar detyrën në Prokurorinë e Posaçme.
Ajo ka kaluar me sukses kontrollin për pasurinë dhe atë të verifikimit të pastërtisë së figurës. Në këtë mënyrë, Anita Jella nuk ka pengesë ligjore për t’u ngritur në detyrë. Me 8 vota pro, Jella është votuar prokurorja e re e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në lidhje me kandidatin tjetër, Bledar Maksutin, Komisioni i Posaçëm në SPAK ka kryer verifikimet për pasurinë dhe pastërtinë e figurës duke theksuar se Maksuti i plotëson kushtet e sigurisë për të ushtruar detyrën në SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 8 vota pro miratoi ngritjen në detyrë për një mandat 9-vjeçar të prokurorit Bledar Maksuti në SPAK.
Një nga kandidatët për prokuror i SPAK ka qenë edhe Ndini Tavani. Por komisioni pranë SPAK ka verifikuar pasurinë dhe pastërtinë e figurës dhe ka vendosur se Ndini Tavani nuk i plotëson kushtet e sigurisë për të qenë pjesë e SPAK, pasi nuk ka kaluar me sukses procesin e verifikimit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës, megjithatë ky verifikim i veçantë nuk e pengon prokurorin për të ushtruar detyrën në Prokurorinë e Tiranës.
Komisioni i Posaçëm në SPAK i kërkoi KLP-së mosemërimin e Ndini Tavanit në Prokurorinë e Posaçme. Pas kësaj kërkese, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me 8 vota pro moscaktimin e Ndini Tavanit si prokuror në SPAK. Ky vendim mund të ankimohet në Gjykatën Administrative.