Ekonomi Ankandi i parqeve eolike, Balluku: Shqipëria do të prodhojë energji elektrike edhe...

Ankandi i parqeve eolike, Balluku: Shqipëria do të prodhojë energji elektrike edhe nga era

Shqipëria ka përmbyllur me sukses ankandin e parë për ndërtimin e parqeve eolike. Një proces i udhëhequr nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në të cilën morën pjesë 16 kompani të huaja dhe që është finalizuar me shpalljen fituese të tre prej kompanive.

Sot u hapën zyrtarisht ofertat financiare të para qitura nga kompanitë fituese, duke shënuar kështu, pas ankandit të parkut fotovoltaik, një tjetër rezultat shumë të mirë me çmime shumë herë më të ulëta, krahasuar edhe me vendet më të zhvilluara të Europës.

Kompanitë të cilat paraqitën ofertat e tyre janë, bashkimi i shoqërive “Total Eren” dhe “KMV” sh.p.k. me një çmim 44.88 Euro/MWh MW, bashkimi i përkohshëm i shoqërive “BRD” Sh.p.k., “Guris Insaat Ve Muhendislik A.S”, dhe “Mogan Energy A.S” me një çmim 74 Euro/MWh dhe kompania “Verbund” – me një çmim prej 74.95 Euro/MWh. Kapaciteti në total i 3 projekteve është 222.48 MW.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në ceremoninë e zhvilluar për finalizimin e të gjithë procesit theksoi se ndërtimi i parqeve eolike i shtohet kështu projekteve të tjera që Shqipëria ka në sektorin energjetik dhe që shtojnë kapacitetet prodhuese të vendit, duke diversifikuar edhe burimet energjetike.

“Procesi i ndërtimit të parqeve eolike është një hallkë shumë e rëndësishme e sistemit tonë energjetik, tashmë të mirënjohur në të gjithë Europën, jo vetëm në Ballkan, për prodhimin tonë 100% nga burime të rinovueshme, por të bazuar kryesisht, mbi 99% , në burimet hidro dhe duke pasur parasysh që tashmë dy nga ankandet shtetërore që ne kemi mbajtur dhe që ka qenë fituese kompania franceze “Voltalia” janë në ndërtim e sipër, mbi 50 mega janë të përfunduara dhe vazhdon ndërtimi i parkut të parë i cili do të përfundojë me 140 megavatorë, sigurisht që këtij gjerdani të sektorit të energjetikës i shtohet edhe ky kapacitet eolik, i mbështetur me çmim të subvencionuar nga shteti”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë renditi një sërë projektesh përmes të cilave Shqipëria do të shtojë kapacitetet prodhuese të saj me synimin që brenda vitit 2029 vendi ynë të kthehet në një vend eksportues neto i energjisë. balluku përmendi hidrocentralin e Skavicës, procesi për të cilin po avancon sipas grafikut të parashikuar, apo rivitalizimn e TEC-it të Vlorës, si dhe ndërtimin e tubit të transmetimit që do të shtrihet nga porti i Vlorës deri në daljen e TAP-it.

“Të gjitha këto përpjekje sigurisht kanë një emërues të përbashkët. Kanë synimin tonë për të krijuar një prodhim të ri energjetik të shtuar me 4 terravat deri në fund të vitit 2030 dhe kur këto burime energjetike përputhen plotësisht me axhendën e gjelbërt të Bashkimit Europian, kur këto burime energjetike plotësojnë të gjitha angazhimet tona që kemi dhënë si vend model përsa i përket burimeve të rinovueshme, atëherë ne ndihemi më krenarë se kurrë”, u shpreh Balluku.