Në vend që të maturohet, fenomeni i emigracionit po përkeqësohet vit pas viti, duke përfshirë së fundmi të rinjtë e arsimuar të cilët dëshirojnë të largohen masivisht nga vendi.
Rezultatet e një anketë me 1650 studentë që u prezantuan sot tek Presidenti Ilir Meta nga ekspertët e çështjeve demografike, Ilir Gëdeshi, Rusell King tregoi se 79% e studentëve (mosha mesatare 22 vjeç), që studiojnë në Shqipëri, synojnë të emigrojnë jashtë vendit. Sipas Gëdeshit, synimi për të emigruar lidhet me përfytyrimin që kanë studentët për të ardhmen e tyre.
Nga njëra anë ai është një pasqyrim i gjendjes reale ekonomike, sociale e politike në Shqipëri dhe, nga ana tjetër, i mundësive potenciale në vendin pritës.
Një aspekt i rëndësishëm i migrimit potencial është edhe kuadri kohor në të cilin realizohen synimet dhe dëshirat e studentëve për migrimin. Sipas të dhënave të anketës, 7 % e emigrantëve potencialë dëshirojnë të emigrojnë nga Shqipëria para përfundimit të studimeve, 62 % menjëherë pas përfundimit të studimeve universitare, dhe rreth 27 % pas një përvoje pune në Shqipëri.
E shprehur në segmente kohore 17 % e studentëve dëshirojnë të migrojnë brenda vitit, 69 % brenda 5 viteve të ardhshme dhe 12 % thonë pas 5 viteve. Sipas këtyre shifrave, masa e studentëve shqiptarë synon të emigrojë nga Shqipëria në afat të shkurtër dhe të mesëm.
Rezultatet e anketës tregojnë se ekziston një diferencë shumë e vogël në dëshirën për emigrim ndërmjet studentëve femra (79.4 %) dhe meshkuj (78.1 %). Historikisht emigrimi shqiptar ka qenë i udhëhequr nga meshkujt, ndërsa femrat pasonin në një periudhë të mëvonshme nëpërmjet bashkimit familjar ose martesave. Ky tregues i emigrimit potencial, pak më i lartë tek femrat (+1.3 pikë përqindje) në krahasim me meshkujt (çka vërehet edhe në studime të tjera për të rinjtë), tregon edhe shkallën e lartë të iniciativës, emancipimit dhe pavarësisë të studentëve femra.
Largimi i mjekëve
Profesor Ilir Gëdeshi vuri në dukje se po rritet shumë shpejt migrimi i mjekëve shqiptarë drejt Gjermanisë.
Sipas tij, “numri i mjekëve për 100 mijë banorë do të vijë duke u ulur duke shkaktuar probleme me popullatën sa i përket shërbimit shëndetësor. Kjo do të provokojë largime të tjera të popullatës në mungesë të një shërbimi mjekësor cilësor”.
Për këtë, profesori iu referua shifrave të OCDE, lidhur me stokun e mjekëve shqiptarë në botë, nga 2013, që po rritet shumë shpejt në Gjermani.
Po ashtu një e dhënë që tregon shumë, është dhe fakti se disa segmentë të studentëve si ne degët e mjekësisë, arteve, stomatologjisë, arkitekturës, infermierisë, kanë dëshirë më të madhe për tu larguar nga vendi.
“Nëse mesatarja është 79%, në segmentet e mësipërme është mbi 80% që duan të largohen, në prospektivë, për disa sektorë të ekonomisë ne do kemi vështirësi sa i përket profesorëve të kualifikuar dhe shumë të kualifikuar. Tek mjekët do shohim që dëshira për emigrim i afrohet 90% që do të thotë shumë e lartë e në perspektivë vendi do ketë boshllëqe sa i përket mjekëve”, tha profesori.
Një tjetër e dhënë shqetësuese është sipas profesorit Gëdeshi se “11% e popullsisë vlerëson se në Shqipëri nuk ka të ardhme, në krahasim me 3% në 2007, kjo shpjegon edhe migrimin e rinisë”.
“Ka ndryshuar edhe cilësia e flukseve migratore, në 2007 donin të emigronin të paarsimuarit dhe pakualifikuarit, por në 2018 duan të ikin personat që janë më të arsimuarit e më të kualifikuarit”.
Degët që synojnë emigrimin më të lartë
Synimi për të emigruar është më i lartë te disa grupe studentësh në fusha të caktuara, si studentët e mjekësisë (91.5 %) dhe infermierisë (83 %), të informatikës (84.4 %), të inxhinierisë (79.2 %).dhe arkitekturës, çka shpjegohet me mundësitë më të mëdha të punësimit në vendin e dëshiruar të emigrimit.
“Tendenca e lartë e emigrimit potencial, sidomos për disa grupe studentësh të fushave të caktuara, përbën një shqetësim dhe duhet të tërheqë vëmendjen e gjithë shoqërisë. Kjo mund të rrisë mungesat në segmentin e sipërm të disa profesioneve shumë të nevojshme në Shqipëri, sidomos në mjekësi“, thotë Gëdeshi.
Një vrojtim i realizuar në vitin 2018 tregoi se gjatë 5 viteve të fundit rreth 13 % e stafit mjekësor kishte emigruar nga Shqipëria dhe se numri i atyre që emigrojnë çdo vit është i barabartë ose më i madh se sa numri i mjekëve të rinj që diplomohen në Universitetin e Mjekësisë.