Opinione Annalena Baerbock – Freskim për Europën?

Annalena Baerbock – Freskim për Europën?

Këtë javë pritet të bëjë betimin qeveria e re gjermane. Me Annalena Baerbock si ministre e Jashtme e emëruar mund të ndryshojë politika gjermane për Europën. Planet duken ambicioze, por ka edhe potencial për konflikte.

Christian Feld – ARD

Annalena Baerbock do ta njohë tani Brukselin nga një perspektivë komplet tjetër. Nga viti 2005-2008 ajo ka qenë drejtuese e zyrës së një eurodeputeteje të Gjelbër në Parlamentin Europian. Në rast se, dhe që ka shumë gjasa të ndodhë, baza e partisë së Gjelbër bie dakord për marrëveshjen e koalicionit dhe propozimeve të personelit, Baerbock do të jetë gruaja e parë në postin e ministres së Jashtme në Gjermani.

Në muajt e shkuar ajo ka theksuar rregullisht, se sa për zemër i ka zgjidhjet europiane. Në një intervistë me gazetën taz, Baerbock e përsëriti kërkesën e saj për një kurs të përbashkët më të ashpër kundrejt Kinës. Motoja e ministres së emëruar: “Për mua një politikë e jashtme e drejtuar nga vlerat është gjithmonë një bashkëveprim i dialogut dhe ashpërsisë”. Dialog nuk do të thotë “të zbukurosh apo të heshtësh për gjërat.”

A do t’ia dalë ajo të sjellë një frymë të re në politikën europiane të qeverisë gjermane? Sidomos në Francë ka pasur kritika. Pse nuk reagon Gjermania si duhet për idetë e presidentit Macron për Europën? Por megjithë ambiciet, realizimi është vetëm pjesërisht në duart e ministres së Gjelbër. Një kancelar, disa ministri, dhe tre parti duhet të tregojnë, se qëndrimi i përbashkët për çështjet që prekin Europën, nuk duhet të ekzistojë vetëm në letrën e marrëveshjes, por në vendimet konkrete.

Kancelari i emëruar, Olaf Schol me ministren e Jashtme të emëruar, Annalena Baerbock dhe atë të Financave, Christian Lindner

Fjalë të mëdha

Pa dyshim që marrëveshja e koalicionit formulon objektiva të mëdha: Synohet një “BE e forcuar nga ana demokratike, e aftë të veprojë dhe e pavarur nga ana strategjike”. Paratë nga fondet e Coronës duhet të jepen, vetëm nëse tek vendet anëtare është e “sigurtë një drejtësi e pavarur”. Gjermania si shteti më i madh anëtar, duhet të ketë “përgjegjësinë e veçantë të një vetëdije shërbyese për BE si të gjithën”. Fjalë të mëdha.

Jana Puglieri nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, ECFR shikon tek të tre partitë një orientim proeuropian. Në të njëjtën kohë ato nuk janë dakord për disa çështje me rëndësi, për shembull nëse modelin e fondit të rimëkëmbjes duhet ta shtrijnë edhe në sfera të tjera. “Ka pasur përpjekje për ta mbuluar këtë në marrëveshjen e koalicionit, por teksti mbetet i hapur.” Shembull tjetër. Gazsjellësi NordStream2. Të Gjelbrit dhe FDP janë kundër vënies në punë të gazsjellësit. SPD mendon ndryshe. Në marrëveshjen e koalicionit ka vetëm një referencë për këtë tek e drejta europiane për energjinë.

Disa pasazhe në marrëveshje lenë hapësirë për interpretime, si psh tek pakti i stabilitetit dhe rritjes ekonomike. Rregullat për një politikë buxhetore solide janë shfuqizuar tani në kohën e pandemisë. Marrëveshja e koalicionit shikon për kohën më pas “një zhvillim të mëtejshëm” – të sigurohet rritje ekonomike, të ruhet aftësia për pagimin e borxheve por edhe të bëhen “investime për qëndrueshmërinë dhe klimën.”

Më shumë hapësirë për veprim?

Të Gjelbrit shohin në këtë politikë një progres. Kjo hap mundësinë për një politikë fiskale solide dhe promjedisore, thotë Franziska Brantner, që është emëruar sekretare e ardhshme shteti në Ministrinë e Ekonomisë dhe Klimës. “Me këtë krijojmë rregulla që nuk ka nevojë të shtrihen shumë për të përballuar sfidat e kohës me efektivitet.”

Ministri i emëruar i Financave, Christian Lindner është shprehur se Gjermania nuk mund të veprojë si një vend i vogël nordik, por edhe nuk mund të vendoset njëanshëm në anën e atyre që duan të gërryejnë zbatimin e rregullave.” Për më shumë hapësirë për veprim shpresojnë vende si Italia. Kurse Holanda këmbëngul në kurs të ashpër për politikën buxhetore. Kështu në praktikë do të ketë mjaft potencial për konflikte. Sipas politologes Puglieri, miratimi brenda qeverisë është i “me rëndësi, por edhe mjaft i vështirë”. “Këto dallime do të dalin diku.”