Ndonëse është data 20 shtator, vjeshta nuk duket gjëkundi e duket se kjo situatë do të vijojë deri në fund të muajit. Meteorologu Hakil Osmani, në një lidhje direkte në emisionin “Rudina” tha se mesi i kësaj jave pritet të sjellë një rënie të temperaturave, duke bërë që vjeshta të ndihet për pak kohë. Megjithatë situata ndryshon sërish në fundjavë…
“Temperaturat e larta kanë mbetur të larta edhe gjatë kësaj fillim jave, duke bërë që maksimumi në territorin shqiptar të luhatet në vlerat 32 dhe 31 gradë Celcius. Por për fat të mirë, mesjava sjell një rënie të vlerave termike duke bërë që të ndihet vjeshta e vërtetë, përsa i përket vlerave termike kjo, duke bërë që maksimumi në territorin shqiptar të zbresin edhe në 27-28 gradë Celcius. Jo vetëm vlerat maksimale, por po ashtu edhe vlera minimale do të kenë një rënie të ndjeshme të tyre, duke bërë që në zonat malore ato të shkojnë edhe në vlerat 7 apo 8 gradë Celcius, duke bërë që vjeshta të trokasë në territorin shqiptar. Por që do të jetë diçka e përkohshme, pasi fundjava sërish rrit vlerat maksimale, me 1-2 gradë Celcius. Por mëngjeset dhe mbrëmjet mbeten të freskëta, me vlera minimale të cilat nuk pritet të shkojnë më shumë se 10 gradë Celcius”.
Për meteorologun, shtatori ka sjellë një anomali sa i përket vlerave termike.
“Temperaturat e ajrit në orët e mesditës do të kenë një rritje të tyre të ndjeshme, duke shkuar edhe në 30 gradë Celcius që në fakt janë shumë të larta për muajin në të cilin ndodhemi. Ndërsa kushtet e motit po ashtu do të jenë ideale. Duhet thënë se ky Shtator në fakt ka sjell një anomali sa i përket vlerave termike. Zonat të cilat kanë patur anomali më të paktë, kanë qenë zona verilindore dhe zonat juglindore, me 0,5 deri në 1 gradë Celius. Ndërsa temperaturat e ajrit në zonat nga Shkodra deri në Tiranë, Elbasan, përfshirë këtu dhe Vlorën e Sarandën kanë patur edhe një anomali nga 1.5 gradë Celcius”.
Sa i përket tetorit, sinoptikanët parashikojnë që ai do të jetë një muaj i lagësht, me prezencë të vranësirave në një pjesë të mirë të territorit.
“Tetori pritet të jetë një muaj i lagësht, pritet të ketë prezencë të vranësirave në një pjesë të mirë të territorit shqiptar, do të plotësohen kuotat mujore. Vlerat termike pritet që të jenë në zonat malore në vlera normale, ndërsa ultësira perëndimore pritet të ketë një rritje me 1-2 gradë Celcius”.