Që prej datës 3 janar, drejtoria e anti-terrorit në policinë e shtetit ka kaluar në gatishmëri me afat të pacaktuar, si pasojë e rritjes së vigjilencës pas vrasjes nga SHBA të kreut të njësisë QUDS Qasem Sulejman.
Top Channel ka mësuar, jo zyrtarisht, se të gjithë shtetasit e huaj nga vendet e lindjes, i nënshtrohen një intervistimi të posaçëm si dhe skanimit të gjurmëve të gishtave dhe më pas ky informacion ndahet në kohë reale me agjencitë partnere ndërkombëtare.
Po ashtu është duke u treguar kujdes me të gjithë emigrantët e paligjshëm që tentojnë hyrjen në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër.
Në kushtet e anonimatitet një burim jo zyrtar tregoi për Top Channel se autoritetet e anti-terrorit dhe migracionit po bëhen gati të dëbojnë iranianin Ehsan Bidi, dezertor nga kampi i muxhahedinëve në Manzë.
Mësohet se Ehsan Bidi i është refuzuar leja e qëndrimit dhe aktualisht po mbahet ne qendrën e mbyllur të Karecit derisa të përfundojnë procedurat e largimit të tij.
Ehsan Bidi, mbërriti në Shqipëri si pjesë e kontigjentit të më tepër se 2 mijë muxhahedinë nga kampi i lirisë në Irak.
Autoritetet i kanë refuzuar lejen e qëndrimit edhe një personazhi me dritë hije Thamer Ali Radhi Zaidaëi, i cili është me origjinë nga Iraku, por besohet se ka ngecur në rrjetën e anti-terrorit pas sinjalizimit të partnerëve për aktivitetin e tij të dyshimtë. 44-vjeçari ka kundërshtuar në Gjykatë urdhrin e largimit dhe procesi do zhvillohet në fillim të muajit shkurt/TCH