Joe Biden ka zgjedhur. Anthony Blinken do të jetë Sekretari Amerikan i Shtetit, që do të jetë përgjegjës për ringritjen e Amerikës në skenën e demokracisë ndërkombëtare. Lajmi është raportuar nga mediat amerikane.
Blinken ishte “pena” kryesore politikës së jashtme për Presidentin Bill Clinton, shërbeu edhe si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Biden kur ishte zëvendëspresident dhe më vonë u emërua zëvendëssekretar i Shtetit nën drejtimin e Barack Obamës. Kur Biden ishte një senator, Blinken ishte drejtori i tij i stafit në komitetin e punëve të jashtme. Pas administratës së Obamës, Blinken bashkëthemeloi firmën e strategjisë politike WestExec Advisor së bashku me një tjetër ish të epokës së Obamës, Michele Flournoy.
Blinken, një zgjedhje e mirë dhe për shqiptarët
Blinken është një zgjedhje e mirë për Kosovën dhe shqiptarët edhe për shkak të punës së tij gjatë administratës së presidentit Bill Klinton, duke shërbyer si anëtar i stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë dhe mbajti role si ndihmësi special i presidentit, drejtori i lartë për çështjet europiane dhe drejtori i lartë i planifikimit strategjik.
58-vjeçari shquhet për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës në përpjekjet për njohjen pavarësisë dhe anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare. Si zëvendës-sekretar shteti gjatë administratës së Barack Obama-s, Blinken ka qenë ndër nismëtarët dhe lobuesit kryesorë për anëtarësimin e plotë të Kosovës në UNESCO në vitin 2015, edhe pse kjo përpjekje nuk mori 2/3 e votave të nevojshme gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme të këtij organizmi.
“Jam krenar që përcjell besimin tonë të fortë se Kosova duhet të mirëpritet nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s si anëtare me të drejta të plota”, shkruante në atë kohë Blinken.
Gjatë shërbimit nën administratën Obama, ai është takuar disa herë më Hashim Thaçin dhe ka bërë thirrje të vazhdueshme për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Po ashtu në vitin 2016, Antony Blinken uroi Kosovën për fitoren e Medaljes se Artë në sportin e xhudos, në Lojërat Olimpike. Si Sekretar Shteti ai do të duhet të vendosë për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi pas marrëveshjes së negociuar nga presidenti Donald Trump, për zbatimin e së cilës Kosova ka sinjalizuar se po pret miratimin e administratës Biden.
Blinken do të riparojë marrëdhëniet me aleatët e ngushtë
Sipas mediave ndërkombëtare, Blinken është një realist pragmatik që beson në fuqinë e SHBA-ve, por që e kupton dhe limitin e saj. Ai është një bashkëpunëtor aq i ngushtë i Biden sa shumë e shohin atë si “alter ego-n” e presidentit të zgjedhur.
Robert Malley, shefi i “International Crisis Group” që ka qenë edhe shok klase i Blinken, tha se veterani i Uashingtonit ka background-in perfekt background për të rikthyer besueshmërinë amerikane, aq më tepër në Europë.
Nëse konfirmohet nga Senati, Blinken do të ketë për detyrë të riparojë marrëdhëniet me aleatët e ngushtë në të gjithë globin, shumë prej të cilave janë dobësuar nga politika e konfrontimit të Presidentit Donald Trump.
Një zyrtar aktual i Departamentit të Shtetit thotë për CNN se Biden “nuk mund të kishte zgjedhur një diplomat më të përshtatshëm për të demonstruar përkushtimin e tij ndaj trupit diplomatik dhe aleancës transatlantike”.
Njoftimi zyrtar pritet të martën, kur presidenti i zgjedhur Joe Biden do të emërojë, gjithashtu, këshilltarin e tij të sigurimit kombëtar dhe ambasadorin e SHBA-së në Kombet e Bashkuara.
Jake Sullivan është zgjedhur për rolin e këshilltarit, ndërsa Linda Thomas-Greenfield është në garë si ambasadore në Kombet e Bashkuara.